AKTET, ministritë anashkalojnë dygjuhësinë

/

Numri i Ministrive që kanë bërë harmonizimin e ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve është shumë i vogël. Alsat përzgjodhi disa ministri në vend, të cilat drejtohen nga kuadër të partive të ndryshme politike, mirëpo deri tani vetëm ajo e Administratës dhe Shoqërisë informatike dhe Ministria e Kulturws u përgjigjwn në pyetjen se a kanë bërë apo kanë filluar të bëjnë harmonizimin e ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore me Ligjin e Gjuhëve.

Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike
“Ligji i ri për Inspektimin është harmonizuar, si dhe projektligji për punonjësit në sektorin publik dhe Ligji për Nëpunësit Administrativ. Në ministrinë tonë kemi sektor për përkthim në Gjuhën Shqipe dhe aty janë të punësuar dy persona.”

Ministria e Kulturës
Para zgjedhjeve, Ministria e Kulturës përgatiti disa projektligje për harmonizim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe i paraqiti ato për miratim në Qeveri. Për shkak të faktit se procesi zgjedhor ka filluar ndërkohë, ato janë akoma në procedurë qeveritare. Përndryshe, nuk ka departament të veçantë të përkthimit në Ministrinë e Kulturës.”

Të njëjtat pyetje i adresuam edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, atë të Ekologjisë dhe të Arsimit e Shkencës, mirëpo shërbimet e tyre për marrëdhënie me publikun ende nuk  kanë dhënë asnjë përgjigje. Zbatimi i plotë i Gjuhës shqipe nëpër institucionet në vend qoftë lokale apo ato qendrore ka ngecur duke shkelur madje dispozitat në të cilat theksohen afate të caktuara.  Neni 23 i Ligjit të Gjuhëve në pikën 1 dhe 4  thotë se të gjitha institucionet obligohen që në afat prej 1 viti të harmonizojnë, ligjet, aktet nënligjore dhe dispozitat ligjore për zbatimin e ligjit në fjalë. Për institucionet që nuk kanë respektuar pikat e mësipërme, vlen pika 5 e nenit të njëjtë ku thuhet:

 Pika 5/neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
“Në rast të mosharmonizimit të dispozitave të këtij Ligji,  me dispozitat gjuhësore të ligjit tjetër, organet kanë për detyrë t’i zbatojnë dispozitat e këtij ligji.”

Zbatimin e plotë dhe të drejtë të Gjuhës Shqipe duhet ta kontrollojë Inspektorati për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, mirëpo kjo është një tjetër dispozitë e shkelur e ligjit të njëjtë. Kjo sepse ky organ ka vetëm drejtorin Fatmir Iseni, nuk ka ekip dhe as objekt. Inspektorët, ende të papërzgjedhur, duhet t’i nënshtrohen një trajnimi rreth 1 vjeçar që më pas të mund të bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur.

/Alsat-M/