Akademia e Shkencës në RMV në vend të shkencës prodhon urrejtje ndëretnike

Shkup, 4 prill – Shpallja e rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nxitur debate dhe pakënaqësi të shumta mbi numrat e publikuar, që janë të pa pranueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve, dyshohet për manipulim me numra shqiptarët thonë se janë më shumë, ndërkaq, maqedonasit nuk janë aspak të kënaqur.

Dekada të tëra në Akademinë e shkencave nuk kishte asnjë akademik shqiptar.

Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë së Veriut në momentet kyç të zhvillimit historik të RMV-së ka dalë në opinion me teza antishqiptare që në një masë të madhe ka irrituar bashkësinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, atë kohë. Këtu vlen të theksohet rasti me propozimin e akademikut Gjorgji Efremov për ndarjen territoriale të Maqedonisë në vitin 2oo1, ide kjo që hasi në reagime të shumta si te opinioni i brendshëm ashtu edhe tek ai ndërkombëtar.

Akademikë maqedonas edhe në vitin 2022 hapur e shprehin pakënaqësinë për faktin që shqiptarët rezultuan shumë më tepër nga ajo që ata kishin pritur, nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë.

Akademiku maqedonas Bozhin Pavlovski, i cili jeton dhe punon në Australi, në një deklaratë për një portal maqedonas ka thënë se diaspora asnjëherë më parë nuk është përfshirë në regjistrimet e popullsisë të Republikës së Maqedonisë.

Për Katica Qulavkovën, po ashtu anëtare e Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, ky regjistrim është një tjetër tregues se maqedonasit janë ‘në fazën përfundimtare, terminale, të shuarjes së shtetit kombëtar maqedonas dhe të delegjitimimit të kombit maqedonas’.

Pavlovski, duke folur nga Australia për një portal maqedonas ka nënvizuar dhe kritikuar rolin e lidershipit shqiptar për mbarëvajtjen e regjistrimit:

“Tani kjo u zbatua me angazhimin e madh të Ali Ahmetit, i cili së pari siguroi  kornizë ligjore. Dhe, kur erdhi koha për veprim në terren, në fushatë, krahas tij morën pjesë presidenti i Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, kryesisht me mesazhe televizive. Këto xhirime mund t’i gjeni edhe sot në YouTube. Megjithatë, kryesorë në fushatë ishin zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani, të cilët personalisht vizituan disa vende me një diasporë më të madhe shqiptare. Ata me siguri nuk kanë qëndruar atje me shpenzimet e veta, por në llogari të taksapaguesve. Sipas disa bashkëpunëtorëve të së përjavshmes australiano-maqedonase, në terren kanë qëndruar edhe shumë emisarë me laptopë në çantat e tyre.                           

I gjithë ky aktivitet atyre u rezultoi me sukses të madh. Ali Ahmeti nuk e fsheh kënaqësinë. Përndryshe, në vendet si Australia (e cila për nga territori është sa Evropa) një sukses i tillë është i pamundur pa një fushatë të fuqishme dhe të mirë organizuar. Nga regjistrimet zyrtare në Australi dalin rreth 100 mijë maqedonas. Fatkeqësisht, ata mungojnë në regjistrimin e bërë nga Republika e Maqedonisë,” – ka deklaruar akademikut Bozhin Pavlovski për portalin maqedonas MKD.

Edhe shkrimtarja Katica Qulavkova, e cila po ashtu është anëtare e MANU-së, ka shkruar në profilin e saj në Facebook se kjo është një farsë nga regjistrimi i popullsisë në regji të, është shprehur ajo, parashtetit të Maqedonisë së Veriut:  

“Ky është një krim politik, kombëtar, juridik dhe moral i paprecedentë në historinë evropiane. Ky regjistrim është një tregues tjetër se jemi në fazën përfundimtare, terminale, nga shuarja e shtetit kombëtar maqedonas dhe delegjitimimi i kombit maqedonas. Ky është një akt kaotik, tragjikomik, i kundërligjshëm. Iu bëhet padrejtësi maqedonasve si popull, por edhe turqve, serbëve, boshnjakëve, vllehëve, romëve maqedas. Nëse ndiqet “rruga e parave” (dmth. rruga e pushtetit dhe mbipushtetit), është lehtë të përcaktohen motivet dhe kreatorët e kësaj farse. Ata që posedojnë rezultatet e regjistrimit të vitit 2011 le t’i bëjnë publike dhe do të shihet përmes krahasimit se si është bërë regjia e këtij regjistrimi barbar. Faktet nga regjistrimi i panjohur dhe i penguar i para 10 viteve, do të dëshmojnë se pse u jepet legjitimitet politikave jolegjitime, pse paralajmërohet mbështetja ndërkombëtare për diçka që duhet të jetë objekt i kritikës dhe dënimit të ashpër. Nën pretekstin e vlerave evropiane, në Maqedoni po zbatohen politika joevropiane. Unë nuk e pranoj këtë regjistrim të rrejshëm. Ai është edhe një provë se në Maqedoni po zhvillohet një luftë unikate dhe e pamëshirshme,”- ka shkruar akademikja Qulavkova e cila, si dhe kolegu i saj Pavlovski, janë të njohur për qëndrime antishqiptare.

Nga ana tjetër, Abdylmenaf Bexheti i cili është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, i cilëson si ‘fataliste’ kritikat e fundit të dy anëtarëve maqedonas nga ky institucion, Bozhin Pavlovski e Katica Qulavkova, se politikanët shqiptarë Ahmeti, Grubi e Osmani, por edhe Presidenti i Shqipërisë dhe Kryeministri i Kosovës, kanë ndikuar në rezultatin e Regjistrimit të popullsisë (Pavlovski’, përkatësisht se ai ‘është një tjetër tregues se maqedonasit janë ‘në fazën përfundimtare, terminale, të shuarjes së shtetit kombëtar maqedonas dhe të delegjitimimit të kombit maqedonas’(Qulavkova): “Për sa u përket disa deklaratave fataliste të dy kolegëve nga ASHAM, njëri nga Australia, të cilit sipas Statutit të Akademisë duhet t’i pushojë statusi akademik, sepse mbi një vit është jashtë vendit dhe merr shpërblime, kompensime, akademike nga tatimpaguesit e vendit, kurse kjo tjetra, “paternalistja kujdestare” e maqedonizmit, ka problem me komplekset e veta identitare, nuk dëshiroj të komentoj më tepër! I ftoj kur të duan dhe ku të duan për një ballafaqim-debat shkencor e besa, nëse duan, edhe politik!” – ka thënë akademik Bexheti për KDP-në.

Ajo që kuptohet nga këto reagime është se edhe njëherë e dëshmoi ky institucion shkencor që në vend të shkencës prodhon urrejtje ndëretnike, shpërfaq ndjenjat etnocentriste të anëtarëve të kësaj “akademie”, dhe shumë hapur derdhin vrerë ndaj shqiptarëve. // Zhurnal.mk.