Ademi sqaron ndryshimet para fillimit të sezonit të ri të Superligës

në kategorine Sport

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka publikuar një letër të hapur para fillimit të edicionit të ri të Ipko Superligës, xhiroja e parë e së cilës do të zhvillohet këtë fundjavë.

Edicioni i ri i Ipko Superligës po vjen me disa risi.
Fillimisht, këtë sezon nga Superliga do të bien automatikisht katër klube, pasi
që nga sezoni i ardhshëm në këtë ligë do të luajnë vetëm 10 skuadra, jo 12 si
zakonisht, raporton Gazeta Express.

Në letrën e tij, Agim Ademi thotë se ky sistem është bërë për
të mirën e garës, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e futbollit.

“E gjithë kjo është bërë duke iu përshtatur nevojave,
kërkesave të klubeve e të opinionit dhe me qëllim të ngritjes së mëtutjeshme të
organizimit dhe të cilësisë në futbollin tonë”, shkruhet në letrën e Ademit.

Në anën tjetër, Ademi insiston se Kosova do të garojë me tri
klube në Evropë në sezonet vijuese, përkundër që kjo gjë nuk është e sigurt
ende, pasi që duhet të priten kuotat e reja të UEFA-s për t’u zbuluar një gjë e
tillë.

“E veçanta tjetër e këtij edicioni është se tashmë vendi ynë
do të përfaqësohet me tri klube në garat evropiane, gjë e cila pa dyshim do ta
rrisë edhe më shumë rivalitetin dhe garën për kreun e renditjes. Pra, tani
krahas kampionit dhe fituesit të Kupës, pjesëmarrjen në garat evropiane do ta
sigurojë edhe nënkampioni, një vlerësim ky që i është bërë punës së drejtë dhe
efikase të FFK-së”, shkroi Ademi.

Sezoni i ri i Superligës do të nisë të shtunën, me tri
ndeshjet e para që do të zhvillohen në orën 17:00, ndërsa tri ndeshjet tjera do
të zhvillohen në po të njëjtin orar, vetëm se të dielën.

Letra e plotë e Agim
Ademit:

Jemi të lumtur që këtë
fundjavë do ta bëjmë përurimin e hapjes së kampionatit të ri në IPKO Superligën
e Kosovës në futboll. Ky edicion do të jetë i veçantë për shumë arsye.

Në kuadër të
strategjisë së re të FFK-së sivjet do të fillojmë me platformën digjitale të
garave, duke u bërë kësisoj federata e parë në regjion që e zbaton një
platformë të tillë.

Po ashtu, tashmë kemi
vendosur edhe për reformimin e ligave tona. Si rrjedhojë, në fund të këtij
kampionati katër skuadrat me bilancin më të dobët do të përshëndeten nga
shoqëria elitare, derisa nga Liga e Parë do të ngjiten dy skuadra, duke pasur
parasysh faktin se nga edicioni garues 2020/21 Superliga do të përbëhet nga 10
klube.

E gjithë kjo është
bërë duke iu përshtatur nevojave, kërkesave të klubeve e të opinionit dhe me
qëllim të ngritjes së mëtutjeshme të organizimit dhe të cilësisë në futbollin
tonë.

E veçanta tjetër e
këtij edicioni është se tashmë vendi ynë do të përfaqësohet me tri klube në
garat evropiane, gjë e cila pa dyshim do ta rrisë edhe më shumë rivalitetin dhe
garën për kreun e renditjes. Pra, tani krahas kampionit dhe fituesit të Kupës, pjesëmarrjen
në garat evropiane do ta sigurojë edhe nënkampioni, një vlerësim ky që i është
bërë punës së drejtë dhe efikase të FFK-së.

Kjo dëshmon se niveli
i organizimit tashmë është rritur dukshëm dhe si rrjedhojë kemi bërë progres
edhe në aspektin e cilësisë. Mirëpo, ajo që kemi arritur deri tash nuk duhet të
na kënaqë. Në vazhdimësi duhet të kërkojmë më shumë dhe t’i krijojmë mundësitë
për të bërë hapa tjerë përpara, në mënyrë që të jemi konkurrentë me kampionatet
e vendeve të regjionit, e pse jo edhe më gjerë.

Futbolli i Kosovës ka
shënuar rritje nga viti në vit dhe të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe
të vlerësojmë drejtë përmirësimet e bëra, sidomos në aspektin e
infrastrukturës.

Tani qëllim primar
duhet ta kemi lojën korrekte dhe emocionin që dhuron kjo lojë e bukur ta
transmetojmë tek dashamirët e futbollit.

S’do mend se klubet që
kanë organizim të mirë, vendosin objektiva të qarta dhe kanë strategji për t’i
arritur ato do të kenë suksese, sado të vështira të jenë sfidat gjatë rrugës.

Ne, si FFK, i kemi
bërë të gjitha përgatitjet e duhura për një kampionat të mirëfilltë, gjyqtarët
e delegatët i kanë kryer me sukses normat fizike, përkatësisht seminaret për
zbatimin e rregullave të reja të futbollit, prandaj tani nuk mbetet asgjë tjetër
veçse t’u japim hapësirë futbollistëve që ta rrokullisin topin në fushën e
gjelbër dhe të urojmë që gjithmonë të fitojë më i miri.

Në emrin tim dhe të KE
të FFK-së uroj të gjitha klubet për fillimin e këtij edicioni, me shpresën për
një kampionat plotë emocione, rivalitet sportiv dhe ‘fair-play’.

Njëherësh, zotohem se
për të gjithë të përfshirët në futboll do të ketë zero tolerancë ndaj çdo
dukurie negative që e dëmton imazhin e futbollit dhe të vendit tonë.

Gabimet e paqëllimshme
do të sanksionohen në aspektin sportiv, ndërkaq nëse do të ketë diçka përtej
asaj që i përket futbollit do të jenë organet e drejtësisë, ato, që do të
ndërmarrin masat e parapara bazuar në ligjet e shtetit.

Prandaj, kërkoj nga të
gjithë që të jenë vigjilentë dhe suksesin ta kërkojnë vetëm në frymën e
‘fair-play’-it.

BURIMI: https://www.gazetaexpress.com/sport/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.