AAK-ja e gatshme të jetë pjesë e dialogut me Serbinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
(AAK), është e gatshme që të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Këtë e ka
konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, anëtari i kryesisë së kësaj
partie, njëherit edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Ai tha se në diskutimin që ka
pasur me kreun e partisë, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Kryesinë,  është gatshëm të kontribuoj për tema që janë të
rëndësishme për vendin.

Sipas Ramosajt, nëse një gjë e
tillë i kërkohet kryetarit Haradinaj, AAK-ja do të jetë pjesë e dialogut.

“Në bisedat qe kemi pasur me zotëri Haradinaj dhe me Kryesinë e AAK-së është tepër e veçantë sepse lideri jonë gjithmonë e ka gatishmërinë për tema që janë të rëndësishme për shtetin edhe politike”.

“Në rast se i kërkohet Aleancës të jetë pjesë e dialogut si lider besoj se do të jemi pjesë e dialogut”.

Mes tjerash, ai foli edhe për
dokumentin “non-paper”, ku sipas tij, Qeveria duhet të ketë kujdes,
ngase nuk është koha për gabime, raporton EO.

“Sa i përket ‘non-paper’ duhet të
ketë kujdes sepse i përcakton kriteret ka garantues ka marrëveshje dhe nuk mund
të dalë prej kornizave dhe në këto raste duhet të ketë kujdes sepse kemi pasur
të kaluar të keqe me këto dokumente dhe tash nuk është koha për gabime”.

Sipas tij, kur vaksinat kundër
Covid-19, shpërndarja pritet të bëhet edhe në komunën e Deçanit.

“Kur vijnë vaksinat vijnë në nivel të shtetit dhe shpërndarja duhet të jetë i zakonshëm”, tha ai.