A po paralajmëron Zaevi ta bëjë “kurban” regjistrimin nëse nuk vaksinohen qytetarët!?
Shkup, 9 gusht – Regjistrimi i fundit i popullatës në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002, e që nga ajo kohë ne nuk kemi pasur një proces regjistrimi edhe pse gjatë kësaj përiudhe ka pasur disa tentime për të bërë një gjë të tillë, por që të gjitha përpjekjet kanë dështuar e më i fundit ishte ai i prillit të këtij viti, por që pas një marrëveshje politike ajo u prolongua për në muajin shtatorë, por ndërkohë deklaratat e fundit të kryeministrit Zoran Zaev hedhin dyshime për një shtyrje të re, shkruan Zhurnal.
Regjistrimi përbën një element shumë të rëndësishëm për çdo shtet, pasi përmes saj ata sigurojnë informacione të detajuara dhe një pasqyrë të saktë për situatën demografike ekonomike dhe sociale të vendit, e kjo i ndihmon pastaj ata në krijimin e politikave adekuate të cilët do të mundësonin zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Maqedonia e Veriut për 19 vite nuk ka pasur regjistrim të popullatës, e kjo është një mangësi e madhe për vendin tonë, pasi ne si shtet nuk kemi një pasqyr të qartë të realiteteve të reja që janë krijuar gjatë kësaj periudhe, e tërë kjo po krijon efekte negative në të ardhmen e shtetit tonë dhe dështim në krijimin e politikave të mirëfillta zhvillimore.
Ndonëse regjistrimi i popullatës në vende tjera të botës është një proces statistikor të njejtën nuk mund ta thuash edhe për Maqedonië e Veriut, pasi ajo është një shtet multietnik dhe pasqyrimi i numrave apo edhe përqindjeve ka një ndikim të fuqishëm në jetën politike, ekonomike dhe sociale të etnive që jetojnë në të. Maqedonia e Veriut është nga të rrallat shtete të botës në të cilat garantimi i disa të drejtave dhe privilegjeve të qytetarëve të saj varet nga numrat, e kjo ka bërë që regjistrimi në vendin tonë të jetë shumë i ndjeshëm dhe me ngarkesa të fuqishme etnike dhe politike.
Realiteti i ndërlikuar etnik dhe efektet që mund të shkaktojë çdo ndryshim eventual në numrat apo përqindjet e popullsisë, mund të ndryshonin balancat etnike apo të ngushtonin diferencën mes tyre, e që e tërë kjo ka bërë që Maqedonia e Veriut për një periudhë kaq të gjatë të “dështojë” në mbajtjen e këtij procesi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Duket se egziston një dakordësi mes partive më të mëdha maqedonase në vend sa i përket regjistrimit të popullsisë, ku këto parti cilado qoftë në opozitë e kundështon një proces të tillë duke përdorur arsyetime të ndryshme, ku të njejtat në fillim kundërshtohen nga partia qeverisëse, por pastaj në emër të dialogut dhe në të mirë të shtetit arrihet një “marrëveshje” politike për shtyerjen e saj. Kjo histori po përsëritet për një periudhë 19 vjeçare, ku rasti më i fundit ishte ai i regjistrimit të muajit prill të këti vitit ku opozita e kundërshtoi mbajtjen e saj me arsyetimin e pandemisë së Kovid-19, e që kjo u kundërshtua fuqishëm nga kryeministri Zoran Zaev i cili theksoi se “Duhet të ketë regjistrim. Askush nuk e dimë kur do të përfundojë pandemia”, por që pas takimit me liderin e partisë tjetër maqedonase Hristijan Mickovski u arrit “dakordësia” dhe regjistrimi i popullsisë u shtye për në muajin shtator, shkruan Zhurnal.
Fatkeqësisht shqiptarët që përbëjnë etninë e dytë më të madhe në vend, dhe që fati i tyre varet nga numrat që dalin nga regjistrimi qëndruan aq indiferent gjatë tërë këtij procesi deri në arritjen e “marrëveshjes”, e që në të njejtën kohë ata u përjashtuan nga takimi që do të vuloste fatin e këtij procesi, dhe tërë kjo la të kuptohet se Maqedonia e Veriut është shtet monoetnik dhe jo multietnik, ku maqedonasit vendosin për çdo gjë, kurse shqiptarët vetëm duartrokasin vendimet e tyre.
Duket që regjistrimi i prillit do të shtyhet pa afat, e që i njejti do ta ketë fatin e regjistrimeve të më hershme të cilat u prolonguan për një periudhë të caktuar, por që asnjëherë më nuk dolën nga sirtaret e institucioneve shtetërore. Këtë dyshim e përforcon edhe më shumë deklarata e fundit e Kryeministrit Zoran Zaev, i cili foli për masat e reja anti-Kovid i cili ndër të tjera deklaroi se: ” I nxisim qytetarët që të vaksinohen meqë ky është ilaçi dhe mënyra e vetme që ekziston për të luftuar këtë pandemi. Është e rëndësishme që të ketë regjistrim të suksesshëm”. Në bazë të kësaj deklarate vërejmë se tani si kusht për regjistrim nga Zaev paraqitet vaksinimi, e kjo të bën të mendosh se në rast të mos arrtitjes së objektivave që ka paraparë qeveria, si kurban i mosbindjes së qytetarëve për imunizim të jetë “REGJISTRIMI”.
Përse nuk po mbahet regjistrimi? Pse çdo herë po gjendet një arsyetim apo alibi për ta penguar apo prolonuar atë? Pse partitë maqedonase çdo herë kanë qëndrim të njejtë sa i përket regjistrimit? Këto janë pyetje të cilat për 19 vite nuk po gjejnë përgjigje, e që fakteqësisht po pamundësojnë mbajtjen e një procesi statistikor, por që ka rëndësi shumë të madhe për shqiptarët dhe grupet tjera etnike në Maqedoninë e Veriut.//Zhurnal.mk