A parashikohen tërmetet dhe si të mbrohemi?

në kategorine Opinione

Çdo vit rreth 100 mijë tërmete ose më shumë, që mund të ndihen nga njerëzit, ndodhin në mbarë botën. Këto tërmete variojnë nga ngjarje shumë të vogla, që janë pak të ndjeshme e deri në tërmete të mëdha, që shkaktojnë shkatërrime në masë.





Shqipëria është një zonë sizmike, veçanërisht zona bregdetare, ku risku është më i madh. Nga tërmetet që kanë rënë në vendin tonë nuk ka pasur situatë shkatërrimtare.

Magnituda është një nocion themelor, që përdoret për vlerësimin e shkallës së fortësisë së tërmeteve. Ajo shprehet duke iu referuar “Shkallës Rihter”.

Tërmetet me magnitudë 5 janë përgjithësisht jo dëmtues për strukturat inxhinierike. Dëmtimet priten të ndodhin nga tërmete me magnitudë mbi 5. Tërmetet mund të ndryshojnë sipas madhësisë së tyre, forcës dhe gjatësisë së ndikimit. Valët e shpërndara ndeshen me formacione të ndryshme, të buta ose të forta.

Tërmetet e mëdha dhe të vogla fillojnë në të njëjtën mënyrë. Pra, nuk ka asnjë mundësi të thuhet, kur arrijnë vlerën më të madhe goditëse. Shkencëtarët shprehen se deri tani nuk ka asnjë metodë shkencore, që parashikon tërmetin në kohë dhe madhësi.

Nëse studimet shkencore kanë prekur Hënën, ato nuk kanë nxjerrë asnjë informacion për thellësinë rreth 5 km nëntokë. Rreziku sizmik nuk është ulur apo rritur.

Prej kohësh ka përpjekje nga shkencëtarët në botë, të cilët studiojnë dhe eksperimentojnë problemet, për parashikimin e tërmeteve, por deri tani pa rezultate. Sikurse është vërejtur, tërmetet kenë vatrat e tyre në thellësi të ndryshme. Për vendin tonë, karakteristike janë më tepër në thellësitë 10-20 km.

Dikush mendon se pas një vere të nxehtë lind një problem. Tërmetet e sotme nuk kanë lidhje me thatësirën dhe kjo për faktin, se thellësia e veprimit është mjaft e madhe.

Që nga koha e antikitetit ka histori për sjelljen e pazakontë të kafshëve përpara një tërmeti. Edhe nëse kërkimet moderne po e ndjekin këtë mundësi, sjellja në përgjithësi është e pasigurtë për ndonjë parashikim të saktë. Tërmetet nuk kanë lidhje me retë apo dhembjet trupore.

Duhet të jetë e njohur se pas një goditje nga tërmeti i parë, veçanërisht me magnitudë 4 e më shumë, do të ketë disa pasgoditje, vlerat dhe numri i të cilave nuk mund të parashikohen.

Lidhur me deklaratën e Prof. Akis Zelentis mendoj që duhet kuptuar drejtë. Pas tërmetit të parë do të ketë të tjerë, që mund të supozohen, por nuk mund të vlerësohen. Parashikimi shkencor duhet të përcaktojë 3 faktorë: datën dhe kohën, vendndodhjen e qendrës dhe madhësinë, gjë që është e pamundur.

Sondazhet sizmologjike sigurojnë informacione të besueshme shkencore gjatë veprimit të tërmetit, që shërbejnë si bazë të dhënash për studime. Pas ngjarjes kryesore, pasgoditjet shkaktojnë dëme, veçanërisht në ndërtesa dhe infrastrukturë. Kjo gjë është shqetësuese për të gjithë dhe padyshim do të kërkojë vëmendje edhe nga institucionet shtetërore.

Tërmeti në Athinë ishte 5.1 Rihter dhe thuhet se mund të ndodhë 6 Rihter, kjo është 30 herë më e madhe. Nëse i referohemi llogaritjeve, tërmeti me magnitudë 5 jep energjinë 31.6 herë më të madhe se tërmeti me magnitudë 4.

Referuar deklaratës, rritja e energjisë kundrejt 6 është 30 herë. Pra, jo se mund të ndodhë një tërmet 30 herë më i fortë. Kjo është thjesht matematikë në sizmologji.

Tërmetet me magnitudë 6 janë të zakonshëm për një vend me sizmicitet të lartë si Greqia, por kjo nuk do të thotë, që mund të përhapen me atë vlerë në gjithë territorin e Shqipërisë.

Nuk mjafton t’i thuhet popullatës, se në rast tërmeti strehohuni në objekte të forta.

Kjo mund të vlejë, nëse shkëputet ndonjë copë suva apo ndonjë orendi shtëpiake dhe jo kur bie soleta apo shkëputet muri.

Siguria e jetës kërkohet në rezistencën e banesës ndaj tërmetit. Projektimi i një banese duhet të kënaqë kërkesat dhe kriteret e ndryshme, që i përgjigjen intensitetit dhe shpeshtësisë së tërmeteve. Pra, për çdo situatë të pritshme ndërtesa duhet të sigurohet në qëndrueshmëri nga veprimi i tërmetit. Kjo është shumë e rëndësishme për shtëpitë e vjetra, qoftë edhe një kat, si dhe për ndërtimet e larta.

Cilësia e projektit duhet të sigurojë atë, që pas çdo tërmeti, struktura të ruajë formën e saj pa dëmtime konstruktive.

Duke iu referuar tërmetit të ndodhur më 15 prill 1979 dhe në vazhdim edhe sot, në zonat e prekura prej këtyre ngjarjeve, dëmtimet janë bërë në shtëpitë e vjetra. Këtyre banesave iu mungon ngurtësia në planin horizontal. Në këto objekte mungojnë brezat antisizmikë, kanë gjatësi të madhe të mureve, llaçi i përdorur është i dobët, amortizimi i çatisë. Pra, mungojnë masat antisizmike.

Këto objekte të konsumuara, që janë të destinuara të dëmtohen edhe nga një tërmet i lehtë, nuk vlerësojnë dëmet nga tërmetet në Shqipëri.

Jo vetëm zona e Durrësit, por në të gjithë bregdetin e vendit tonë janë ndërtuar objekte të larta. Madje, me disa kate shtesë, që janë vendosur mbi bazamentin rërë dhe pranë vijës bregdetare.

Pa dashur t’i përgjithësoj, nga përvoja botërore, ndërtime të tilla paraqesin rrezik të mundshëm nga goditjet e tërmetit. Më shqetësuese janë objektet, që kanë disa kate shtesë. Nuk do të përfshija objekte me një apo dy kate shtesë, që lejohen nga projektuesi, nëse objekti ka rezerva në strukturën mbajtëse. Rivlerësimi aktual apo periodik i ndërtimeve të larta është tani një praktikë ndërkombëtare. Ajo është rreptësisht e domosdoshme për të parandaluar dëmtimet apo shembjet e objekteve nga tërmetet.

Pasojat e efekteve mjedisore, tërmeteve të mëparshme, veprimi i erës, ndikimi i mjedisit detar janë faktorët kryesorë që japin shqetësime në strukturën e objekteve. Për të vlerësuar qëndrueshmërinë sizmike të strukturës me probleme, nuk mjafton cilësia e markës së betonit apo rivlerësimi i vetive fiziko- mekanike të tokës. Edhe nëse këta dy elementë janë të saktë, ata nuk garantojnë qëndrueshmërinë e objektit me shtesa katesh. Elementët e strukturës, trarët, kollonat, soletat apo themelet, kur objekti ka përfunduar bëjnë pjesë në punime të maskuara. Në këta elementë nuk dihet faktikisht sasia e hekurit dhe cilësia e armimit. Qëllimi i ekspertizës është për të vlerësuar qëndrueshmërinë, se çfarë ndodh me objektin, kur veprojnë lëkundje sizmike (të imituara jo deri në shkatërrim). Në shumë raste, katet shtesë, për të mos e ngarkuar objektin, ndërtuesit i zbatojnë me konstruksion metalik apo druri. Duhet të vlerësohet, që ky ndërtim është më i rrezikshëm se rastet, kur struktura mbajtëse është vazhduar me atë ekzistuese (beton apo muraturë tulle).

Inspektimi visual nga specialistë, për të konstatuar ndonjë plasaritje apo ulje, si dhe rezultatet e marra nga matjet e markës së betonit (me çekic) nuk janë të mjaftueshme. Nuk mund të përdoret bonsensi praktik bazuar në këto matje dhe të konkludosh që objekti qëndron, ka të meta teknike, duhet të prishet apo është i qëndrueshëm. Madje, është e pamundur të fillosh ekspertizën pa pasur projektin e plotë konstruktiv të një objekti të përfunduar, pasi kemi të bëjmë me punime të maskuara (nuk dihet sasia dhe cilësia e armimit).

Nëse i referohem një paralelizmi me profesione te tjera, p.sh. një pacient i vizituar nga mjeku nuk është garanci për shëndetin e mirë të vazhdueshëm, por një mendim për gjendjen e tanishme të tij dhe vlerësimet për të ardhmen e afërt. Një avokat pranon një rast bazuar në mendimin e tij për meritat që ka, por jo se është i garantuar për sigurinë e suksesit.

Cilësia e ekspertizës varet shumë nga niveli teoriko- praktik i specialistëve të inxhinierisë sizmike dhe pajisjet eksperimentale të kohës, që disponohen. Në disa objekte mund të dallohen plasaritje të dëmshme ose normale. Sa më e vjetër të jetë ndërtesa, aq më shumë gjasa ka që të zhvillohen këto plasaritje.

Për rastin e ndërtesave të reja, me moshë më pak se 30 vite, kur shihen plasaritje të rëndësishme, duhet të hulumtohen nga një inxhinier strukturist i specializuar.

Bazuar në përvojën ndërkombëtare, objektet e larta, në veçanti me disa kate shtesë, duhet t’i nënshtrohen testimit teorik me programe të specializuara dhe eksperimentale, që përcakton vetitë dinamike të strukturës, siç janë frekuencat, format e lëkundjeve, zhvendosjeve dhe përdredhjes nga veprimi i forcave sizmike.

Ky vlerësim kryhet në gjendje ambienti dhe lëkundjeve të detyruara. Për t’u shprehur më thjeshtë, ka aparatura të specializuara që imitojnë lëkundjet e tërmetit, si dhe aparatura matëse të parametrave konstruktivë dhe sizmikë që vlerësojnë qëndrueshmërinë e objektit.

Duhet të kuptohet nga investitorët, që kanë bërë ndërtime të tilla, që këto janë zgjidhjet e duhura, madje të detyrueshme që të parandalohen katastrofa me humbje jetë njerëzish. Oponenca apo ekspertiza që hartohet nga specialistë, ka një përgjegjësi të madhe për të vlerësuar mangësitë që vërehen, si dhe për të dhënë zgjidhjen, si elemente të pandara. Nëse investitori, duke rendur pas fitimit ka kryer këtë shkelje të rëndë, ndoshta pa i vlerësuar pasojat, oponenca apo ekspertiza duhet të mbajë edhe përgjegjësi, nëse objekti ka problem dhe shprehet me terma të përgjithshme (ka shkelje të kushteve teknike).

Bazuar në këto probleme, mendoj që institucioni shtetëror i kësaj fushe, nëpërmjet zhvillimit të projekteve duhet të vlerësojë këtë praktikë ndërkombëtare për të kontribuar në sigurinë e ndërtimeve.

 Opinion nga Prof. Asoc. Dr.Forcim SOFTA

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.