A duhet të vaksinohen qytetarët që e kanë kaluar koronavirusin?

A nevojitet apo jo vaksinimi i personave që tashmë e kanë kaluar në mënyrë natyrore infeksionin e COVID-19? Kjo është pyetja që shtrojnë shumë qytetarë, ndërkohë që në botë vijon vaksinimi masiv i popullsisë.

Epidemiologu i njohur Ilir Alimehmeti ka publikuar rezultatet e një studimi të realizuar në SHBA.

” Një studim shumë i detajuar dhe me metodologji robuste u krye nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive të Qendrës Spitalore të Cleveland, Ohio – SHBA, e cila është një qendër madhore spitalore me mbi 52.000 të punësuar”, shkruan Alimehmeti.

Hulumtuesit studiuan në detaj:

Të gjithë personelin spitalor (52.238 persona), nga të cilët 2.579 persona e kishin kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, dhe 49.659 persona nuk ishin infektuar.

Vaksinimet u kryen mbi: 1.359 (53%) e personave që e kishin kaluar sëmundjen, dhe 22.777 (41%) e personave që nuk ishin infektuar.

Gjetjet kryesore:

Nuk u infektua asnjë person i infektuar më parë, qoftë i vaksinuar apo i pavaksinuar. U infektuan 2.139 persona të painfektuar më parë dhe të pavaksinuar (99.3%). U infektuan 15 persona të painfektuar më parë dhe të vaksinuar (0.7%).

Efektiviteti i vaksinimit:

Ndër të infektuarit më parë, vaksinimi nuk luajti asnjë rol. Ndër të painfektuarit më parë, vaksinimi pati një efektivitet 96.9%.

Autorët diskutojnë se:

Është e arsyeshme të pritet që imuniteti i fituar nga infektimi natyror ofron mbrojtje efektive kundër infektimeve të ardhshme me SARS-CoV-2. Në vetvete, pasiguria mbi kohëzgjatjen e imunitetit mbrojtës të ofruar nga infektimi natyror nuk është argument i vlefshëm për vaksinimin e personave të infektuar më parë.

Ky studim ofron evidencë të drejtpërdrejtë se VAKSINIMI ME VAKSINAT MË TË MIRA TREG NUK OFRON MBROJTJE SHTESË PËR PERSONAT E INFEKTUAR MË PARË.

Përfundimi i autorëve:

Individët që kanë pësuar infektim simptomatik nga SARS-CoV-2 të konfirmuar nga një laborator i besueshëm nuk kanë gjasa të përfitojnë nga vaksinimi kundër COVID-19, dhe Vaksinat mund të prioritizohen në mënyrë të sigurt për t’u përdorur nga kush nuk është infektuar më parë.