Shifrat shqetësuese/ Shqipëria, e para në Europë për numrin e azilantëve

Në një video-konferencë të organizuar nga presidenti Ilir Meta në lidhje me fenomenin e shpopullimit, janë bërë të ditura shifra të frikshme për sa i përket largimit të shqiptarëve, kryesisht të të rinjve.

Ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja teksa ka bërë një bilanc të situatës së shpopullimit të vendit, deklaroi se në vitin 2015 ishte dhe kulmi i largimeve të shqiptarëve jashtë vendit.

Ajo renditi edhe arsyet e emigracionit të shqiptarëve. Ndër të tjera Nurja evidentoi edhe një problematikë, atë të rasteve në rritje të refuzimeve të hyrjes në vendet e BE-së të shqiptarëve që thyejnë afatet 3-mujore të Shengenit.

Bazuar në të dhënat e EUROSTAT, gjatë viteve 2014- 2019, 189,975 individë kanë kërkuar azil ekonomik. Shqipëria në 2019 zë vendin e parë për numrin e azilantëve ekonomikë në Europë për 10 mijë banorë.

“Shqipëria është akoma një vend në tranzicion, qoftë nga zhvillimi ekonomik dhe politik. E ndaj lëvizjet demografike janë më të mëdha.

Prandaj është bërë kërkesë që të bëhen studime më tepër. Në vitet 90 deri në 2000 arsyet kryesore të emigrimit ka qenë ndryshimi i sistemit. Shqipëria kaloi nga një vend komunist në një vend të hapur, drejt një jete më të mirë. Vitet 2000-2010 është parë që arsyet kryesore të emigrimit kanë qenë bashkimet familjare.

Në 10-vjeçarin e fundit për arsye të ndryshimeve pozitive sociale, pritej një ulje e emigracionit, por realisht ndodhi e kundërta. Nëse do kalojmë në çfarë ka ndodhur, jam bazuar në të dhënat e EUROSTAT që tregon lëvizjen e shqiptarëve drejt vendeve të BE.

Këto shifra nuk janë vlerësime, por janë njerëz që kanë lëvizur me pasaportë dhe kanë kërkuar azil ekonomik. Po të shohim shifrat vitet 2010-2011 kanë qenë shifra minimaliste dhe më pas janë rritur shifrat e personave që kërkojnë azil ekonomik.

Nga 2014 kemi një rritje të numrit, sidomos kulmi arriti në 2015. Kemi 65 mijë persona që kanë kërkuar azil ekonomik. Pjesa më e madhe që kërkojnë azil janë 25-vjeç deri në 34 vjeç, mosha më e aftë për punë. Të dhënat e tjera shqetësuese janë se ka dhe persona që kanë hyrë në vendet e BE dhe nuk kanë ikur prej andej dhe punojnë ilegalisht, pasi nuk kërkojnë azil ekonomik. Si pasojë e këtyre lëvizjeve të parregullta, shqiptarët kanë nisur të kenë një refuzim që të hyjnë në vendet e BE, po humbasin mundësinë e lëvizjes së lirë.

Shqiptarët si pasojë e këtij keqmenaxhimi po i refuzohet e drejta për të lëvizur lirisht drejt vendeve të BE-së. Shpesh herë thuhet se kjo është gjë normale edhe për shtetet e tjera, por jo kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria ndodhet në vendin e parë, ka kaluar dhe Sirinë dhe Irakun, të njerëzve që kërkojnë azil ekonomik. Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilantëve për popullsi”, tha Nurja.