/

Prezantohet projekti për mbështetje të procesit për reforma në gjyqësor

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe euroambasadori, Dejvid Gir, sot e prezantuan projektin “Mbështetje të procesit për reforma në gjyqësor”, që nënkupton bazë për pastrimin e gjyqësorit.

“Gjatë zbatimit dy-vjeçar, projekti ofroi një sërë aktivitetesh të realizuara përmes sigurimit të mbështetjes profesionale për institucionet përfituese, konsultime për planifikimin strategjik dhe buxhetor për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, gjykatat dhe Zyrat e prokurorisë, trajnime për menaxhim në gjykata dhe prokurori, punëtori, takime, konferenca, rekomandime se si të përmirësohen aftësitë e menaxhimit dhe si të rritet besimi i publikut”, theksoi Mariçiq.

Me shembullin e vendeve anëtare të BE-së, brenda projektit u përgatitën edhe disa akte nënligjore, rregulla të procedurës, manuale, udhëzime për kryerjen e funksioneve të Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publikë, Prokurorisë Publike dhe institucioneve të tjera gjyqësore.

Mariçiq e theksoi edhe ndihmën dhe mbështetjen që e morën nga ekspertët e projektit dhe në përgatitjen e dy dokumenteve kryesore strategjike që vendit tonë i mungon për një kohë të gjatë, përkatësisht Strategjinë për burime njerëzore për gjyqësorin dhe Strategjinë për burime njerëzore për prokurorinë, e cila do të të sigurojë kornizën për burimet njerëzore të kërkuara në sektorin në një mënyrë të planifikuar, të sistemuar dhe të qëndrueshme.

Si përparësi në të cilat Ministria e Drejtësisë do të përqendrohet këtë vit, Mariçiq e veçoi zbatimin e qëndrueshëm të modelit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë, projektin e OSBE-së dhe BE-së për monitorimin e çështjeve gjyqësore në lidhje me korrupsionin e lartë, përkatësisht rreth 50 raste në vit, futja e digjitalizimit në sektorin e gjyqësorit, mbështetja për forcimin e stafit të gjyqësorit, rritja e buxhetit të institucioneve dhe zgjidhja e çështjes së pagave dhe zbatimi i vazhdueshëm i strategjisë për reformën gjyqësore që duhet të përmbushet dhe të përfundohet deri në fund të këtij viti, si dhe përgatitja për një strategji të re për vitin 2022.