/

OEMVP: Mbi 4.000 kompani u shuan vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2020

Pakoja e pestë e masave antikrizë të drejtohet kah likuiditeti i firmave që të mbijetojnë pas pandemisë së koronës, të bëhet hapja e sektorëve të mbyllur pjesërisht si turizmi dhe miratimi i protokolleve në përputhje me rekomandimet shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vazhdim i masës për subvencionim të pagave në vlerë prej 14.500 denarë së paku deri në muajin Mars 2021, si masa më e përshtatshme për ruajtje të vendeve të punës, rritje e fondit të Bankës Zhvillimore të RMV-së, për kreditë me norma të ulëta të interesit, importi i lëndëve të para të bëhet me 0% akcizë për kompanitë që prodhojnë, të ndahen mjete financiare për kompanitë që investojnë në digjitalizim dhe rritje të kapaciteteve teknologjike, anulimi i tatimit të fitimit deri në vitin 2022 për kompanitë të cilat janë prekur më së shumti nga pandemia, të anulohen të gjitha vendimet për suspendim dhe moratorium të planeve urbanistike nëpër komunat ku pengohen projektet e investimeve ndërtimore, të cilat arrijnë vlerë deri mbi 500 milion euro.

Këto janë kërkesat për rimëkëmbje ekonomike të cilat Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) sot do t’i dorëzojë në Qeveri, pasi paraprakisht, në konferencë për media, i publikoi para mediave.

Sipas OEMVP-së, për të rikthyer ekonominë në trajektoren normale, Qeveria në periudhën vijuese duhet ta përqendrohet në fillimin e procesit të vaksinimit kundër Kovid 19, por edhe në realizimin e shpenzimeve kapitale prej minimum 85 për qind.

Siç theksoi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, vitin 2020 e përmbyllëm me recesion prej minus katër për qind që është rënia më e madhe ekonomike në vend që nga ekzistimi i saj. Mbi 4.000 kompani u shuan vetëm në gjashtë muajt e parë, shumica migro dhe të vogla, ndërsa janë humbur rreth 40.000 vende të punës. Tani, po përballemi edhe me cilësi të ulur të jetës për shkak të shtrenjtimit dhe rritjes së shportës konsumatore e cila arriti në 550 euro.