Albin Kurti “e zëvendëson” kryetarin shumëvjeçar me të sapoaderuarin Muja


Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes ka votuar sot propozimet për kandidatë për deputetë nga dega e saj në Mitrovicë. Nga katër që u futën në garën e brendshme, do të zgjidheshin dy kandidatë për t’u futur në listë, një burrë e një grua.

I propozuar nga dega fillimisht ishte Faruk Mujka, aktivist shumëvjecar i Vetëvendosjes dhe kryetar i degës së saj në Mitrovicë, shkruan “Jepi zë”.

Mirëpo, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, futi befasisht në këtë garë Armend Mujën, i cili dje u bë pjesë e Vetëvendosjes. Të aderuarin në qendër të partisë, Kurti vendosi që ta coi në degën e Mitrovicës.

Kurti ka pasur mundësi që të sapoardhurin Muja ta fuste në listën zgjedhore me propozim të tij ose të Kryesisë, sepse sipas ndryshimeve të fundit të statutit të partisë, 25 për qind të listës zgjedhore e propozon lideri dhe 25 për qind e propozon kryesia e ngushtë. Në këshill votohen propozimet e degëve, që i bie 50 për qind të listës.

Gjithsesi, pas propozimit të Armend Mujës, Mujka u tërhoq nga gara, për të mos i dalë kundër vullnetit Qendrës

Sidoqoftë, Këshilli i VV-së votoi dhe zgjodhi që kandidatë për deputetë nga Mitrovica të jenë Muja dhe Arjeta Fejza.

Faruk Mujka është mbi dhjetë vjet aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i degës dhe nënkryetar i komunës së Mitrovicës në dy mandate dhe nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Mujka që ka qenë pjesë e partisë që prej themelimit të degës, nuk i ra që të jetë pjesë e suksesit të VV’së, që po parashihet prej sondazheve.