OIK i brengosur me numrin e madh të prekurve me Covid nga komuniteti infermieror dhe profesionistët tjerë shëndetësorë

Këshilli Drejtues i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, ka shprehur shqetësim lidhur me numrin e vogël të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë të punësuar në institucionet publike shëndetësore, karshi nevojave për shërbime shëndetësore ndaj qytetarëve të Kosovës të prekur me Covid 19.

Këshilli ka ripërsëritur thirrjen e drejtuar ditë më parë ndaj ministrit të shëndetësisë së Kosovës Armend Zemaj, si dhe institucioneve tjera relevante, përfshirë Qeverinë dhe gjitha institucionet publike shëndetësore, ku është kërkuar që të rritet numri i infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor.

Numri i vogël i infermierëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë dhe rritja e numrit të të prekurve me Covid 19 edhe në mes të punonjësve shëndetësorë është duke rrezikuar seriozisht shërbimet shëndetësore në nivel vendi.

KD i OIK, ripërsëritë kërkesat e saja urgjente për rritjen e numrit të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë në gjitha institucionet shëndetësore. /Lajmi.net/