Basha i kërkon Ramës hetim të plotë të të gjitha informacioneve rreth viktimave të pandemisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkoi mbrëmjen e së shtunës kryeministrit Edi Rama hetim të plotë të të gjitha informacioneve në lidhje me numrin e viktimave të pandeminë e COVID-19.

Basha iu përgjigj një deklarate të mëhershme të Ramës, ku ky i fundit e akuzoi rëndë opozitën se “me lajme të rreme dhe inskenime për vdekjet, në aleancë me COVID-19 po ngjall ankth, frikë te qytetarët dhe po u hedh baltë punës së mjekëve”.

Ai tha se Rama vijon të gënjejë për t’i ikur përgjegjësive, se “po i keqpërdor mjekët” dhe se shifrat e raportuara mbi pandeminë “janë të qeverisë, jo të mjekëve”.

“Rama ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19,” – u shpreh Basha.

Më herët kryeministri Rama u shpreh i hapur për hetime nga prokuroria edhe pse e cilësoi “marrëzi politike” të opozitës dhe çnjerëzore pretendimin e ngritur nga ajo.