Vazhdon të mbetet i shkatërruar burimi i ujit mineral, në Poklek të Vjetër të Drenasit

Burimi i ujit mineral në Poklek të Drenasit, i cili është shfrytëzuar me shekuj si ujë shërues, ka disa vite që nuk e kryen këtë funksion. Kjo pasi ai u kontaminua nga rrjedhja e ujërave të zeza, për shkak se kanalizimet në këtë fshat nuk u punuan si duhet.

77 vjeçari Rrahman Muqolli nga Pokleku i Drenasit, tregon se si me ujin shërues të këtij burimi, furnizohej i gjithë fshati, dhe me gjerë.

“Ky burim ka shërbyer për shumë fshatra për të pirë kafshët, për shërimin e njerëzve. Një mjek i fshatit na ka treguar se ky ujë ka qenë shërues për lëkurë, lukth etj. Kanë ardhur njerëzit nga Peja e Prishtina për ta përdorur si ujë shërues”, tregon për RTV Dukagjinin Rrahman Muqolli.

Por, ka vite që këtë ujë nuk mund ta pinë as kafshët, prej kur ndërtimet e kanalizimeve nuk u kryen si duhet, shton Muqolli.

“Komuna i ka ndarë 35 mije euro për ta pastruar këtë burim e ujërat e zeza për t’i dërguar në rekë, por kompania që ka marrë për t’i kryer punimet ka keqpërdorë fondet”, shprehet më tej i moshuari.

Milaim Ferizi thotë se dikur, nga ky ujë gjeten shërim shumë njerëz.

“Babai im ka shkuar te mjeku, ai i ka thënë ke të thatë. Dikush i ka thënë se duhet të pijë ujë të tharbët. Babi ka ardhur këtu dhe ka pirë ujë, dhe pas tre muajve kur ka shkuar te mjeku s’ka pas asgjë. Është befasuar edhe mjeku. Kur i ka treguar se ka pirë këtë ujë, mjeku i ka thënë se ai të ka shëruar”, tregon banori Milaim Ferizi.

Zëdhënësi i komunës së Drenasit, Bekim Dobra, përmes telefonit tha se kanalizimi në lagjet përreth burimit te ujit është ndërtuar në vitin 2016 . Shtoi se banorët nuk janë ankuar që uji po kontaminohet.   Sipas tij, posa të marrin ankesë nga përfaqësues të fshatit, do të intervenojnë menjëherë, pasi ekziston projekti më buxhet të ndarë, për sanimin e defekteve në kanalizime.