Shala: Në Prishtinë nga fillimi i vitit shkollor janë infektuar 40 mësimdhënës e 83 nxënës me COVID-19

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se që nga fillimi i vitit shkollor në komunë janë infektuar 40 mësimdhënës me koronavirus, duke përfshirë këtu edhe drejtorët e shkollave e stafin teknik dhe 83 nxënës.

Shala ka treguar se katër shkolla në komunën e Prishtinës kanë kaluar në skenarin C, pra mësim në distancë, për shkak të rasteve me koronavirus, ndërsa në disa raste ka kaluar klasa në skenarin C.

“Është e vërtetë se në komunën e Prishtinës janë mbyllur katër shkolla për momentin për shkak të rasteve me koronavirus. Dy shkolla janë në qytet e dy në fshatëra. Është shkolla e mesme e muzikës, pastaj shkolla “Xhemajl Mustafa”, si dhe nga një shkollë në Prapashicë e Bardhosh. Janë mbyllur për shkak të numrit të madh të infektuarve në shkollë. Në shkollën “Xhemajl Mustafa” ka 13 nxënës e katër mësimdhënës të infektuar. Për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që ta mbyllë shkollën, por e njëjta situatë është edhe në shkolla tjera. Është numri i madh i të infektuarve. Kemi në shkolla tjera raste të izoluara. Nxënës që janë të infektuar e klasa kalon me skenarin C. Nuk mund të themi se një shkollë komplet është në Skenarin A, pasi për shkak të rasteve individuale në klasë po shkon me mësim të kombinuar. Ka nxënës të infektuar dhe komplet klasa kalon në mësim online. Me skenarin A po punojnë gjitha shkollat e Prishtinës, me përjashtim të disa klasëve të cilat për shkak të një nxënësi që ka rezultuar pozitiv komplet klasa ka shkuar online. Kemi katër shkolla me skenarin C e një shkollë me të kombinuar. Është shkolla “Faik Konica”, që për shkak të intrastrukturës plotëson kushtet që gjysma e klasës të jetë në klasë e gjysma të kyçet online nga shtëpia. Në bazë të statistikave që kemi siguruar në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, janë 40 mësimdhënës, këtu përfshihen edhe drejtorët e shkollave e stafi teknik, që janë infektuar me COVID-19 dhe gjithashtu 83 nxënës, prej kohës kur ka filluar mësimi deri në ditën e sotme”, ka thënë Shala për Interaktiv.