Komuna e Prizrenit lidh kontratë të kundërligjshme, OSHP e lejon këtë nëse ankesa s’bëhet në kohë

Para pak ditësh komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka ka lidhur një kontratë të kundërligjshme, e cila është realizuar nëpërmjet procedurave të prokurimit, shkruan lajmi.net.

Vetëm pse një kompani është ankuar jashtë afatit kohor në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ky institucion e ka lejuar komunën që të lidhë kontratë të kundërligjshme, ndonëse dy herë ia ka bërë me dije komunës se e ka shkelur ligjin.

Kontrata e cila quhet “Mbikëqyrja e punimeve konform kontratave të DSHP-së në Komunën e Prizrenit” është lidhur më 18 shtator 2020 në mes AK-Komuna e Prizrenit dhe kompanisë NNP “Bek Ing” nga Suhareka.

Lajmi.net ka mësuar se kompania NNP “Bek Ing” nuk i ka plotësuar kushtet e Ligjit të Prokurimit Publik për këtë tender. Konkretisht, kompania në procesverbalin e hapjes ka ofertuar me çmim 33 euro, ndërsa në paramasë dhe parallogaritë ka ofertuar me çmim 0.33 euro. Kompania, kishte thënë se ka bërë gabim aritmetik dhe komuna e kishte marrë si të mirëqenë këtë, ani pse Ligji i Prokurimit gabimet aritmetike i lë të korrigjohen plus ose minus 2 për qind të vlerës së ofertës. Fillimisht, Komuna kishte shpallur të papërgjegjshme të gjitha ofertat. Ofertën e “Bek Ing” e kishte shpallur të papërgjegjshme dy herë me arsyetimin se “dallimi në mes të çmimit 0.33 euro dhe 33 euro është shumë shumë i madh, andaj edhe AK nuk ka mund ta marrë si çmim të rregullt asnjërin çmim të ofruar nga ana juaj”.

Si nisi procesi?

Në muajin shkurt të këtij viti, komuna bëri njoftim për kontratë “Mbikëqyrja e punimeve koform kontratave të DSHP-së në Komunën e Prizrenit”. Për këtë tender që është njëvjeçar vendosi shumën prej 50 mijë eurove.

Për këtë tender kanë ofertuar tri kompani. Prokurimi komunal hapi ofertat dhe konstatoi se të gjitha janë të papërgjegjshme, andaj u vendos që procesi të shkojë në ritenderim.

Kompaninë “Bek Ing” e ka eliminuar me arsyetimin se: “OE në fjalë konsiderohet i papërgjegjshëm sepse në procesverbalin e hapjes ka ofertuar me çmim 33 euro ndërsa në paramasë dhe parallogaritë ka ofertuar me çmim 0.33 euro”.

Komuna ka dhënë arsyetimin e vetë për eliminimin e tri ofertave.

Konsorciumin “Eng Idea” & “Sib Bka” e ka eliminuar me arsyetimin se: “OE ENG Idea nuk ka referenca të mjaftueshme në vlerën e 60 % të totalit të referencave të kërkuara si dhe konsorciumi nuk ka vlerën e kërkuar të referencave prej 75.000,00 euro. 2 Në sëshmitë mbi aftësitë teknike dhe profesionale është kërkuar dëshmitë mbi ekspertët e kërkuar si dhe lista e stafit e dëshmuar me kontratat e punës ose bashkëpunimit për këtë projekt. Ju keni ofruar listën e ekspertëve të kërkuar, por nuk keni ofruar listën e stafit prej 5 të punësuarish të përcjellë me kontratat të punës ose kontrata të bashkëpunimit për këtë projekt”.

Kompaninë “PMN” Shpk e ka eliminuar me arsyetimin se: “Duke u bazuar ne URROPP në dosjen e tenderit çmimi i ofertuar lejohet që të shënohet në maksimum dy numra pas pikës dhjetore OE në fjalë ka preferuar me çmimin në shumë se dy numra pas pikës dhjetore dhe për këtë arsye kjo ofertë vlerësohet si e papërgjegjshme”.

Me këtë vendim u pajtua konsorciumi “Bek Ing” & “PMN”, andaj deponuan parashtresë për rishqyrtim tek komuna me arsyetimin se i posedon të gjitha dokumentet që komuna tha se nuk i ka. Por, komuna hodhi poshtë pretendimet e saj dhe la në fuqi vendimin e vet për anulimin e procedurës se prokurimit.

Më pas, kompania “Eng Ide” vendosi të ankohet në OSHP, duke i paraqitur të gjitha projektet e mbikëqyrura me dokumente dhe kopje të kontratave, po ashtu edhe referencat për përfundimin e shërbimit apo raport nga punëdhënësi për përfundim të suksesshëm të shërbimit. Pra, kompania paraqiti provat e saj duke pretenduar të kundërtën e arsyeje që kishte dhënë komuna në vlerësim të tenderit.

OSHP-ja e angazhoi ekspertin e vet për të shoshitur pretendimet e kompanisë ankimore. Eksperti ka hedhur poshtë dy pretendime të komunës gjatë rivlerësimit për këtë ofertë dhe i ka dhënë të drejtë në një pretendim, andaj mendimi i ekspertit ka qenë që ankesa të aprovohet pjesërisht, por të mbetet në fuqi vendimi i Komunës për anulim të kësaj procedure të prokurimit.

Më pas është mbledhur Paneli i OSHP-së. Pasi e ka parë esptertizën e ekspertit të saj dhe provat e komunës, por edhe të kompanisë ankuese, paneli përfundimisht vendosi që të aprovohet pjesërisht ankesa e kompanisë “Eng Idea” & “Sib Bka”, të anulohet vendimi i komunës për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe lënda të kthehet edhe njëherë në rivlerësim.

Pasi OSHP-ja konsideroi që Autoriteti Kontraktues -Komuna e Prizrenit duhet të kërkojë sqarime shtesë nga kompania konform ligjit sa i përket  dokumentacionit për punët e realizuara në tri vitet e shkuara.

“Në rast të krijimit të konsorciumit OE bartës duhet të ketë minimumi 60 për qind të referencave të natyrës së kontratës. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe pas analizimit të fakteve të ofruara, paneli shqyrtues vlerëson se AK, konform nenit 59 dhe nenit 72 të LPP-së, duhet të krijojë sqarime shtesë nga EO ankues lidhur me këtë kërkesë dhe të sqarojë se a ka ofertuar OE ankues sipas kërkesës së lartcekur të dosjes së tenderit dhe të sqarojë se a i ka përmbushur i njëjti referencat e natyrës së kontratës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Komuna nuk e përfilli kërkesën e OSHP-së

Më pas, Komuna e mori vendimin e OSHP-së dhe vendosi që tenderin ta kthejë në rivlerësim, por nuk veproi ashtu siç kishte marrë vendim OSHP-ja, që të kërkonte sqarime shtesë nga kompania “Eng Idea”. Mbi bazën e dokumentacionit të ofertës, komuna bëri rivlerismin dhe e hodhi poshtë si të papërgjegjshme ofertën e kësaj kompanie dhe persëri mori vendim që të anulojë këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas ligjit të prokurimit, menjëherë tek AK-Komuna e Prizrenit, kompania bëri parashtresë për rishqyrtim, duke i ofruar përsëri faktet e veta se posedon dokumentacionin e kërkuar.

Çuditërisht, këtë herë tek autoriteti kontraktues u ankua edhe kompania “Bek Ing” e cila në vlerësimin e parë konsiderohej e papërgjegjshme pasi në procesverbalin e hapjes ka ofertuar me çmim 33 euro, ndërsa në paramasë dhe parallogaritë ka ofertuar me çmim 0.33 euro. Por, kompania tha se ka bërë gabime aritmetike dhe ligji ia lejon përmirësimin.

Komuna shqyrtoi pretendimet  e dy palëve dhe ankesën e “Eng Idea” e hodhi poshtë me arsyetimin e njëjtë, po ashtu e hodhi poshtë edhe ankesën e kompaninë “Bek Ing”, duke thënë se “Korrigjimi gabimeve matematikore mund të bëhet nga ana e AK dhe duhet të bëhet duke u mbështetur në “RRUOPP “por tek rasti juaj kemi mospërputhje të çmimit të ofruar në paramasa dhe çmimit të dhënë në deklaratën e tenderuesve. Dallimi në mes të çmimit 0.33 dhe 33 është shumë shumë i madh andaj edhe AK nuk ka mund ta marrë si çmim të rregullt asnjërin çmim të ofruar nga ana juaj”.

OSHP-ja ia rikujton përsëri shkeljen komunës

Tash në OSHP, u ankuan dy kompanitë, e para me pretendime të njëjta, e dyta me pretendimin se “është lëshuar një gabim teknik i dukshëm dhe vlera totale është gjeneruar nga sistemi i prokurimit me çmim prej 33 eurove”.

Pasi e mori ekspertizën e ekspertit të vetë dhe shoshiti të gjitha provat, paneli i OSHP-së vendosi përsëri që të anulohet vendimi i komunës për anulimin e tenderit dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Paneli vendosi kështu, pasi, sikur në herën e parë i kërkoi komunës të kërkojë informata shtesë nga kompania “Eng Idea”, lidhur me referencat për punët e kryera, ndërsa ankesën e “Sib BKA” e vlerësoi si pjesërisht të bazuar. Për këtë ofertë, komunës i tha që duhet të kalkulohet çmimi i ofertuar i operatorit ekonomik, para se të merret vendimi që të hedhet oferta e kompanisë. “Lidhur me pretendimin e “Bek Ing” AK e ka eliminuar me arsyetimin se në procesverbalin e hapjes ka ofertuar me çmim 33 euro, ndërsa në paramasë dhe parallogaritë ka ofertuar me çmim 0.33 euro. Operatori ankues pretendon se konform nenit 50 të LPPA në çdo kohë, sipas detyrës zyrtare apo sipas kërkesës mund të korrigjohet gabimi drejtshkrimor, gabimet në përllogaritje dhe pasaktësitë tjera të ngjashme të dukshme në një akt admistrativ. Ndërsa, AK në përgjigjen e kërkesës për rishqyrtim i është përgjigjur kompanisë se e ka shqyrtuar kërkesën në fjalë dhe ka vendosur që kërkesa për rishqyrtim të refuzohet si e pabazuar sepse korrigjimi i gabimeve matematikore mund të bëhet nga ana e autoritetit kontraktues dhe duhet të bëhet duke u mbështetur në RUOPP, por tek rasti juaj kemi mospërputhje të çmimit të ofruar në paramasa dhe çmimit të dhënë në deklaratën e tenderuesve. Dallimi në mes të çmimit 0,33 dhe 33 është shumë shumë i madh, andaj edhe AK nuk mund ta marrë  si çmim të rregullt asnjërin çmim të ofertuar nga ana e juaj. Paneli shqyrtues i OSHP-së, konfrom ekspertit shqyrtues sqaron se nuk kemi të bëjmë me nenin 50 të LPPA-së, mirëpo autoriteti kontraktues është dashur të bëjë përllogaritjen e çmimit, e nëse kemi të bëjmë me + – 2 % të vlerës se tenderit, atëherë të refuzohet tenderi”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues.

Ky kostatim i panelit nënkuptonte se oferta e “Bek Ing” është e jashtëligjshme, pasi komuna ishte e obliguar ta kalkulonte çmimin.

Në fund, paneli shqyrtues e urdhri komunën që lëndën ta kthejë në rivlerësim dhe të vendos konform rekomandimeve të saj, në të kundërtën e kërcënoi se do të marrë masa konform ligjit.

Komuna nuk përfill vendimin e OSHP-së, vendos për ofertën e papërgjegjshme

Kundruall urdhrit të OSHP-së, Komuna vendosi që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Me këtë rast, zyra e prokurimit bëri shkelje të rëndë të Ligjit të Prokurimit, vendosi që të shpallë fitues kompaninë “Bek Ing” dhe e eliminoi përsëri kompaninë “Eng Idea”, me arsyetimet e njëjta.

Në këtë rivlerësim, komuna nuk mori për bazë asnjë rekomandim të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Lajmi.net ka mësuar se nga kompania “Eng Idea” nuk kërkoi sqarime shtesë, e po ashtu nuk e kalkuloi as çmimin e ofertuar të “Bek ing”, nëse ka të bëjë me + – 2 %, sepse po ta kalkulonte këtë çmim do të dilte “shumë shumë i lartë”, ashtu siç thoshte vetë komuna në dy vendimet e para për këtë çmim të ofruar. “Juve ju është dhënë kontrata me çmimin  e saktësuar në tenderin tuaj pas korrigjimit të gabimeve aritmetikore-me shumën prej me çmimin e ofruar prej ; 0.33 euro  dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, thuhet në vendimin e Komunës dërguar kompanisë “Bek Ing”.

Pas këtij vendimi menjëherë tek AK- Komuna Prizrenit, kërkesë për rishqyrtim ka paraqitur kompania “Eng Idea”. Por, komuna nuk e ka pranuar ta trajtojë kërkesën për rishqyrtim, duke e shkelur ligjin përsëri.

Më pas, kompania është ankuar në OSHP, duke pretenduar se Komuna nuk ka zbatuar dy vendimet e panelit.

OSHP-ja e lë komunën që të shkel dy vendimet e veta

OSHP-ja e ka pranuar ankesën e kompanisë, por nuk ka pranuar që të shqyrtojë pretendimet e saj, me arsyetimin se është e jashtafatshme. Pra, se i ka kaluar koha e paraparë që të bëjë ankesë në OSHP-për për këtë tender. “Hedhet si e jashtafatshme ankesa e grupit ekonomik Eng Idea & Sib Bka. I lejohet Autoritetit Kontraktues që të vazhdoj më procedurat e prokurimit lidhur me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së. Pra, OSHP-ja nuk është marrë fare me atë se dy vendimet e saj nuk janë zbatuar nga Komuna.

Pas këtij vendimi, Komuna ka lidhur kontratë me kompaninë “Bek Ing”, e cila kishte ofertë të jashtëligjshme.

Lajmi.net ka kërkuar sqarime në këto pyetje nga OSHP-ja: “Në vendimin PSH.nr. 320 /20 të datës 24 06.2020 dhe të datës 23.09 e keni obliguar AK-Komuna e Prizrenit që tenderin me titull “Mbikëqyrja e punimeve konform kontratave të DPSH-së në Komunën e Prizrenit” ta kthejë në rivlerësim, konform të gjeturave të panelit, pasi operatori i shpallur fitues nuk i ka plotësuar kushtet. Ne kemi parë se AK-Komuna e Prizrenit ka lidhur kontratë për këtë tender me kompaninë, e cila sipas vendimit tuaj ka qenë e pa përgjegjshme. Çka ka ndërmarrë në këtë rast OSHP-ja ndaj AK-Komuna e Prizrenit, meqë e njëjta nuk e ka përfill vendimin e Panelit?”. OSHP-ja nuk ka dashur të përgjigjet në këtë pyetje.

Po ashtu, një interpretim ligjor të kësaj natyre nuk ka dashur ta japë as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i cili jep interpretime sa i përket Ligjit të Prokurimit Publik. Lajmi.net kishte kërkuar një përgjigje nga KRPP-ja lidhur më këtë pyetje: “Nëse në formularin e tenderit operatori ekonomik ka vendosur çmim p.sh 58 euro, ndërsa në njoftimin për kontratë i njëjti operator ekonomik shpërblehet me kontratë me çmim të korrigjuar 0, 58 euro. A është e ligjshme kjo?”.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje edhe nga Komuna e Prizrenit se pse nuk e ka respektuar vendimin e OSHP-së, por ka lidhur kontratë me kompaninë që ka pasur ofertë të papërgjegjshme. Komuna është arsyetuar se në vendimin e fundit ankesa ka qenë e jashtafatshme.

“Me vendimin e OSHP së nr 320 të datës 24. 06. 2020 Lënda është kthyer në RIVLERËSIM. LPP gjegjësisht nenin 116 pika 6 e këtij ligji thotë citojmë: Një vendim  i  OSHP-së  për  ri-vlerësim  të  përzgjedhjes së ofertuesve ose dhënies së kontratës nuk nënkupton një ndryshim në rezultatin fillestar. Autoriteti Kontraktues e ka ba rivlerësimin e kësaj lënde dhe ka nxjerrë vendimin të cilin e ka ngritë te e-prokurimi me datë 11. 09. 2020. Mbas këtij vendimi është dashtë që OE ankues të ndjekin prapë rregullat e parapara me LPP sa i përket procedurave të ankimimit. Pa bërë kërkesë për rishqyrtim të paraparë me nenin 108/A të LPP së, OE ankues ka parashtru ankesë në OSHP dhe ka marrë këtë përgjigje të cilën e keni në atach tek vendimi i OSHP së nr 685/20 I datës 23. 09. 2020. Nga kjo që u tha del se AK ka nënshkruar kontratë me OE në pajtim me Vendimin e OSHP së dhe në pajtim me vendimin e AK së të datës 11. 09. 2020”, tha për lajmimet në një përgjigje me shkrim, Isa Osmankaj, udhëheqës i prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Lajmi.net ka gjetur se Osmanaj nuk e ka thënë të vërtetën kur thotë se “Autoriteti Kontraktues e ka ba rivlerësimin e kësaj lënde dhe ka nxjerrë vendimin të cilin e ka ngritë te e-prokurimi me datë 11. 09. 2020. Mbas këtij vendimi është dashtë që OE ankues të ndjekin prapë rregullat e parapara me LPP sa i përket procedurave të ankimimit. Pa bërë kërkesë për rishqyrtim të paraparë me nenin 108/A të LPP së, OE ankues ka parashtruar ankesë në OSHP”.

Faktet tregojnë të kundërtën. Kompania ka ushtruar parashtresë pranë AK-Komuna e Prizrenit me datë 16.06.2020, pra pesë ditë, pas vendimit të Komunës për shpalljen e fituesit.

Nga shkurti i këtij viti e deri në fund të shtatorit komuna nuk e ka pasur një kontratë për mbikëqyrje të projekteve. Në gusht të vitit 2019, Komuna kishte lidhur kontratë pa procedurë të hapur, por të negociuar për periudhën 6 mujore me kompaninë “Bek Ing” për mbikëqyrjen e projekteve në realizimin nga drejtoria e shërbimeve publike “Pas përfundimit të kontratës ekzistuese për mbikëqyrje të projekteve të DSHP-së një numër i madh i projekteve kanë mbetur pa u përfunduar si dhe mbikëqyrja e tyre ka mbetur pezull”, thuhet në kontratën e lidhur më 8 gusht 2019. Nëse kontrata e fundit është lidhur me 0.33 euro çmimi për njësi, e negociuar në vitin e kaluar ishte lidhur me 0,56 euro çmimi për njësi./Mentor Buzhala -Lajmi.net/