Qytetarët kërkojnë që të hiqet pagesa në parkingun e Spitalit të Pejës

Çdo ditë pacientët në Spitalin e Pejës apo edhe familjarët e tyre përballen me pagesa që në hyrje të institucionit.

Ata thonë se kjo nuk është shëndetësia falas dhe se nuk është normale që të ballafaqohen me pagesa sa herë që parkojnë veturat në oborr të spitalit.

“Për të shpëtuar nga pagesa nuk vlen as autorizimi e as vetura zyrtare. Mendoj se është e padrejtë dhe pagesa do të ishte dashur të largohet”, shprehet qytetari Agron Kelmendi, për RTV Dukagjinin.

Din Lajçi, një tjetër qytetar i Pejës thotë se kjo pagesë ose duhet të largohet ose së paku të përgjysmohet.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe në dëm të qytetarëve. Në spital njeriu nuk shkon për qejf, por për nevoja mjekësore. Kjo është e palogjikshme dhe iu bëhet vetëm qytetarëve të Pejës. Iu kisha lutur që ta largojnë këtë pagesë pasi është pandemi dhe është krizë”, shprehet Kelmendi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, thotë se kjo pagesë ka për qëllim sistemimin e automjeteve pasi sipas tij në të kaluarën kapacitetet e parkingjeve nuk i mbulonin kërkesat.

“Një pjesë e parkingut ishte shndërruar në parking të paautorizuar. Ai tashmë është futur nën menaxhimin e parkingut të spitalit. Sigurisht se nuk ka nevojë për shqetësim pasi të gjithë pacientët që kanë udhëzim nga mjekët janë të liruar nga pagesat”, deklaroi Naim Sahiti.

Qytetarët thonë se pagesa prej një euro në parkingun e spitalit është e lartë për aq kohë sa të ardhurat e tyre nuk kanë shënuar rritje prej kohësh.