Akuza ndaj Thaçit në Hagë, afati në prag të skadimit

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk e kanë njoftuar ende publikun nëse aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është konfirmuar apo hedhur poshtë.

Të shtunën, më 24 tetor, skadon afati prej gjashtë muajsh për gjykatësin e procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën, plotësisht ose pjesërisht.

Megjithatë, sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të këtyre Dhomave, një gjyqtar, në rrethana të jashtëzakonshme – nëse një prokuror i specializuar paraqet arsye të vlefshme përpara se të konfirmohet aktakuza – mund të lëshojë urdhër të përkohshëm për moszbulimin e aktakuzës para publikut, “për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, ose për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër në procedurë, ose trazirat shoqërore”.

“Në çdo rast, aktakuza do t’i zbulohet publikut, me ndryshime të mundshme nëse është e nevojshme, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit përpara gjykatës”, thuhet në rregullin 88 të kësaj Rregulloreje.

Gjithashtu, zëdhënësja e Dhomave, Angela Griep, ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk parasheh detyrim për të publikuar vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, për hedhjen poshtë të të gjitha ose disa prej akuzave në aktakuzë.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Në aktakuzën prej dhjetë pikësh thuhet se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, është thënë në deklaratë.

Nëse gjykatësi i procedurës paraprake bindet se dyshimi i vërtetuar nga ana e prokurorit ka bazë, gjykatësi e miraton aktakuzën. Nëse nuk bindet, aktakuza hidhet poshtë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë mbahet brenda 7 ditësh, pas dorëzimit të aktakuzës.