Policia jep detaje rreth sulmit që iu bë gazetarit Shkumbin Kajtazi

Dikush ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi në mesnatë.

Policia ka konfirmuar se është duke e hetuar këtë rast, përderisa ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për lajmi.net se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm dhe se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash dhe se rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të natës. Dyshohet se dikush ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit. Në veturën e tij të dëmtuar janë gjetur katër predha të armës edhe nuk raportohet për ndonjë të lënduar. Rasti sipas prokurorit si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar dhe hetuesit janë duke punuar rreth këtij rasti”, ka thënë Zahiti për lajmi.net.

Ndërkohë, gazetari Shkumbin Kajtazi përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për sulmin ndaj tij.

Kjo është hera e dytë që gazetari Shkumbin Kajtazi sulmohet. Herën e parë, atij kishin tentuar t’ia djegin veturën me benzinë. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Sulmohet me 6 plumba vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi