/

TRUD- SOFJE: Shqiptarët me BDI-në e Ahmetit bënë gjithçka që vendi të hynte në NATO

Trud – Sofje

16 shtator 2020

Në vend që të diskutojmë se kush është Goce Dellçevi, a nuk është më mirë të ndërtojmë një autostradë të përbashkët që do të marrë emrin e heroit tonë? – Shqiptarët vendas bënë gjithçka që Shkupi të hynte në NATO. – Përveç Beogradit, edhe Moska gjithashtu ka interes që të jemi të ndarë.

Maqedonia e Veriut tashmë ka dy javë që ka Qeveri e cila do të punojë në fushën e integrimit evropian dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Fqinji ynë jugperëndimor është i përkushtuar të vazhdojë në këtë rrugë dhe të japë sinjale të qarta se do të zbatojë reformat e nevojshme për t’u bërë një anëtar i BE-së. Për këtë qëllim, kryeministri Zoran Zaev themeloi një Sekretariat të posaçëm për Çështjet Evropiane, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov. Përgatitjet për kornizën negociuese për fillimin e negociatave midis Shkupit dhe Brukselit janë në zhvillim e sipër. Procesi pritet të fillojë gjatë presidencës së Gjermanisë me BE-në. Bisedimet joformale janë duke u zhvilluar, po shkëmbehen qëndrimet dhe po kërkohen zgjidhjet për të filluar procesin. Por a do të fillojë ky proces?

Duke gjykuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit Krasimir Karakaçanov për Televizionin e Shkupit 24, Bullgaria do të bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në nëse Komisioni për Çështje Historike nuk arrin një marrëveshje, e cila duket se është mjaft e vështirë.

“Tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, pala maqedonase injoron pikëpamjet e historianëve në mënyrë që të mos arrihet një zgjidhje për çështjen e Goce Dellçevit, që tregon se Shkupi nuk dëshiron të zhvillojë një dialog të vërtetë,” tha zëvendëskryeministri Karakaçanov. Sipas tij, nuk mund të bëjë kompromise vetëm njëra palë, dhe pala tjetër të bëjë atë që dëshiron.

Pas asaj që u tha në Sofje, kryeministri Zoran Zaev në intervistën e tij për televizionin publik maqedonas tha: “Unë po i dërgoj një mesazh Bullgarisë fqinje se ne jemi të gatshëm të negociojmë për çështjen e Goce Dellçevit. Nëse jemi lënduar, kjo nuk është miqësi. Besoj se do të gjejmë një zgjidhje me Republikën mike të Bullgarisë.”

Zaev shtoi se “ne kemi treguar se kemi kapacitet për të zgjidhur problemet. Ne harmonizuam tre kapituj të negociatave, ramë dakord për pesë figura historike nga e kaluara, figura e gjashtë historike është Goce Dellçev. Ne kemi arkiva, do të ulemi dhe do të flasim për to në mënyrë transparente dhe publike. Ne do të gjejmë një zgjidhje. Të dy vendet duhet të jenë fitimtarë.”

Kryeministri Zaev tha dy gjëra të rëndësishme, e fundit është thelbësore, që arkivat do të rishikohen dhe se “të dy vendet duhet të jenë fitimtarë”. Për njëqind vjet Bullgaria dhe Maqedonia fqinje u ndanë për shkak të rrethanave historike dhe ishin në sfera të ndryshme të ndikimit. Dhe kur komunizmi ra, në vend që të kompensonim atë që na mungonte, ne bullgarët dhe maqedonasit u nisëm për t’i provuar vetes se kush dhe çfarë ishte ai dhe pse ai nuk e dinte se çfarë ishte. Ka ardhur koha t’ua lëmë historinë historianëve. Por kjo nuk duhet t’i ndalojë njerëzit të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë pa probleme, të zhvillojnë lidhje biznesi dhe kulturore dhe të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Përveç Beogradit, edhe Moska është gjithashtu e interesuar që të mos ndodhë ky afrim.

Maqedonia fqinje kohët e fundit u bë anëtare e NATO-s dhe një ditë vendi do të bashkohet edhe me BE-në, gjë që do të ndryshojë plotësisht imazhin rajonal dhe do të hapë një horizont të ri për afrimin midis Sofjes dhe Shkupit. Por ne po ecim në rrugën për ta shkatërruar atë dhe edhe një herë duke humbur shansin tonë për t’u afruar me njerëzit e Povardaries. Lirisht mund të themi se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë midis Sofjes dhe Shkupit në vitin 2017, ne kemi humbur shumë shanse për afrim. Edhe Bullgaria, duke ndjekur shembullin e Greqisë, mund të hynte në Maqedoninë e Veriut me një plan të gjerë ekonomik. Ne mund të kishim ruajtur hapësirën e saj ajrore, dhe jo këtë ta bëjnë Forcat Ajrore Greke. Pra kush fitoi? A duhet Bullgaria të pengojë Maqedoninë fqinje në rrugën e saj për në BE? Sigurisht që jo. Por dikush ka interes që kjo të ndodhë. Kohët e fundit, kur mediat bullgare flasin për Maqedoninë, ata flasin për “kërcënimin shqiptar”.

Sidoqoftë, kur analistët dhe politikanët flasin për një rrezik të tillë, ata harrojnë të përmendin se shqiptarët lokalë bënë gjithçka që vendi të hynte në NATO, me partinë e tyre më me ndikim, BDI-në e Ali Ahmetit, si një kusht të qartë gjatë bisedimeve të formimit të qeverisë së re vendosi respektimin e marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë. Kështu, në fakt, ata bënë zgjedhjen se cilës nga të dy partitë – LSDM-së të Zaevit apo DPMNE-së të Hristijan Mickoskit, do t’i japin mbështetjen e tyre. Rezultati është i qartë. Kaq për rrezikun shqiptar në Maqedoni dhe rrezikun e konflikteve të reja në rajon.

Në vitin 2015, Ministri i Jashtëm rus Sergei Llavrov, ndërsa iu përgjigjej pyetjeve të deputetëve në Dumën ruse, tha se “po jepen ide për ndarjen e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë”. Politika ruse ka treguar se mund të krijojë tensione, sepse me të njëjtën logjikë mund të thuhet se edhe Serbia edhe Greqia duan që të ndajnë Maqedoninë fqinje, por këtë nuk e bëri, sepse ata janë partnerët e tij të vjetër në Ballkan… Por le të kthehemi te marrëdhëniet tona A duhet ta përdorim historinë si një argument problematik?

Nuk ka dyshim që historia duhet lexuar në bazë të dokumenteve origjinale. Dhe në vend që të punojmë për zbatimin e elementeve kryesore të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë dhe t’i mbushim ato me përmbajtje, duke krijuar projekte të përbashkëta ekonomike, duke hapur të paktën tre pika kalimi kufitare dhe duke realizuar Korridorin 8, ne vazhdojmë me të kaluarën. Tani kemi një shans për të ndryshuar hartën ekonomike të rajonit, duke lidhur Adriatikun me Detin e Zi dhe duke forcuar përparësitë e tij. Kështu, ekonomitë e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë do të jenë në gjendje të ndryshojnë paradigmën 100-vjeçare veri-jug që lidh Serbinë dhe Greqinë. Dhe në vend që ta bëjmë këtë, ne kemi rënë në grackën e mosmarrëveshjeve të pafundme reciproke.

A kujdesen autoritetet në Sofje për imazhin rajonal rreth nesh? Serbia e ka të vështirë të pranojë faktin se Maqedonia e Veriut është tashmë në NATO dhe se Beogradi e sheh Shkupin si një konkurrent në rrugën për në BE. Nuk përjashtohet që Maqedonia të arrijë Serbinë, dhe madje ta tejkalojë atë, ndërsa po përpiqet të zgjidhë çështjen e saj me Kosovën.

Pjesë e këtij imazhi ishin edhe bisedimet e Shtëpisë së Bardhë, ku u nënshkrua një marrëveshje ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës përmes Presidentit Tramp. Investimet e ardhshme do të arrijnë 10 deri në 15 miliardë dollarë, të cilat do të investohen në ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë dhe një linje hekurudhore midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo do t’u japë bizneseve serbe një mundësi të drejtpërdrejtë për të arritur Adriatikun, përmes portit shqiptar të Durrësit. Në një kohë kur Ballkani po u kthen shpinën konflikteve dhe gjithnjë e më shumë po lidh ekonomitë e tyre, Bullgaria dhe Maqedonia po largohen. Paradoksale, apo jo?

Në vend që të diskutojmë se kush është Goce Dellçev, a nuk është më mirë që Bullgaria dhe Maqedonia të ndërtojnë një autostradë që do t’i lidhë ato dhe do të mbajë emrin e heroit tonë. Disa muaj më parë, këshilltari i presidentit të Maqedonisë së Veriut, profesor Denko Malevski, tha diçka që askush në Shkup nuk e kishte thënë publikisht deri atëherë, “se deri në vitin 1945 ne ishim një popull”. Udhëheqësi i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, kërkoi që atij t’i hiqet titulli i profesorit dhe presidenti Pendarovski ta zëvendësojë këshilltarin e tij.

A janë ata miqtë e Bullgarisë në fqinjin tonë jugperëndimor apo ata po na ofrojnë mundësinë për të zgjidhur problemet? Në vend që ta frikësojmë Maqedoninë me veto, pse jo, për shembull, këtë t’ia bëjmë Serbisë? Dhe ekzistojnë arsye për këtë veprim, si për pakicën bullgare ashtu edhe për refuzimin e Beogradit për gjashtë vjet  për të ekstraduar Cvetan Vasilev në vendin tonë? Kemi humbur shumë kohë në mosmarrëveshje, është koha për hapa konkretë, sepse jemi në prag të humbjes së kapitalit të fituar nga presidenca bullgare në BE, në qendër të së cilës e vendosëm Maqedoninë e Veriut dhe kthimin e saj në rrugën evropiane pas 10 vjet sundimi ekstremisht nacionalist të Nikolla Gruevskit.

 

Ngjarja paraprake

Kumanovë, 22-vjeçari nga Shkupi ndërron jetë pasi bie nga skelet

Ngjarja e ardhëshme

Përdoruesit e telefonëve Samsung mund të luajnë aplikacionet Android në kompjuter

të fundit nga Lajme