Ç’pret Kosova nga Izraeli dhe ç’pret nga Turqia

Sipas gazetës ‘Jerusalem Post’, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka theksuar se njohja e shtetit më të ri mysliman në Evropë hap një kapitull të ri dhe është një ngjarje historike. Netanjahu ka thënë se në të ardhmen edhe shtetet e tjera myslimane do ta ndjekin rrugën e Republikës së Kosovës. Kjo deklaratë, si duket, është paksa absurde, pasi që kryeministri izraelit ka futur Kosovën dhe shqiptarët autoktonë myslimanë në një kazan me shtetet e Lindjes së Mesme, aq më shumë kur Kosovën e ka quajtur si shtet mysliman në Evropë.

Profesori dhe studiuesi i Ballkanit Perëndimor nga Universiteti i Gracit të Austrisë, Florian Biber, bisedimet dhe marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit në Uashington i ka quajtur vetëm se një retorikë. Biber shkruan se Bashkimi Evropian (BE) ka ditur se kjo marrëveshje do të arrihet mes Serbisë dhe Kosovës, qoftë në Uashington apo në Bruksel. Ai shton se në këto bisedime s’ka pasur ndonjë risi. E gjithë pakoja ka qenë e njohur për Brukselin, duke shtuar se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit është teknike dhe politike, kështu që me realizimin dhe përfundimin e këtyre projekteve, Serbia de jure do ta njohë Kosovën.

BE VLERËSON NJOHJEN E KOSOVËS NGA IZRAELI

Në anën tjetër, BE-ja e ka vlerësuar si pozitive njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli, por jo edhe si një akt madhor. Edhe Xho Bajden, lider i demokratëve, kandidat për president në zgjedhjet e nëntorit të sivjetmë në SHBA, ka përshëndetur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Mediet dhe shumica e gazetave serbe, njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli e ka quajtur debakël për politikën e jashtme të Serbisë. Ato konsiderojnë se Benjamin Netanjahu ka pasur një presion nga Donald Trampi dhe fjala e tij ka qenë me peshë kur është çështja e raporteve të ndërsjella mes SHBA-së dhe Izraelit.

Sipas marrëveshjes që e kanë nënshkruar Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në muajin korrik të vitit 2021, Republika e Serbisë do ta transferojë ambasadën e vet në Jerusalem, kurse republika e Kosovës me njohjen dhe lidhjen e marrëdhënieve dypalëshe diplomatike, do ta vendosë ambasadën në Jerusalem, pasi që qeveria e Izraelit do të japë falas një parcelë për ndërtimin e ambasadës së Kosovës.

Deri tash është konsideruar për kryeqytet të Izraelit Tel-Avivi, por administrata e Donald Trampit vitin e kaluar e ka njohur për kryeqytetet të Izraelit Jerusalemin, që bie ndesh me Rezolutën e OKB-së. Deri më tash e kanë njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit vetëm dy shtete: SHBA-ja dhe Guatemala. Njohja e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit prishë konsensusin dhe bëhet një shkelje flagrante ndërkombëtare. Izraeli, në vitin 1967 jo vetëm që okupoi Palestinën, por edhe Jerusalemin. Sipas Konventës ndërkombëtare, në të ardhmen, me arritjen e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit të Palestinës, për kryeqytet do të shpallet Jerusalemi lindor. Së këndejmi, nëse në korrik të vitit 2021 vendosen ambasadat e Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem, do të shkelet Rezoluta 478 e OKB-së. Deri më tash, asnjë shtet i BE-së nuk e ka njohur Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit dhe as që i kanë transferuar ambasadat e tyre nga Tel-Avivi.

Gazetat dhe mediet në Turqi shkruajnë se Izraeli ka njohur me kusht Kosovën, vetëm po qe se vendos ambasadën në Jerusalem. Turqia nuk është kundër njohjes së Kosovës nga Izraeli, por është kundër vendosjes së ambasadës në Jerusalem. Në shtypin turk dhe portalet ka pasur shkrime që tërheqin vërejtjen Kosovës se nëse vendos ambasadën në Jerusalem, atëherë do të prishen marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Prishtinës, madje Turqia mund ta tërheq njohjen e Kosovës. Me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Kosova do të ketë pasoja të rënda diplomatike, ekonomike dhe kulturore, shkruajnë gazetat turke.

GJYSMËFINALJA MES SERBISË DHE KOSOVËS

Partitë opozitare serbe konsiderojnë se bisedimet dhe marrëveshja në Uashington është arritur nën presion të Donald Trampit, ndërsa Aleksandar Vuçiq ka qenë një tinejxher politik i cili ka tradhtuar interesat e Serbisë. Sipas partive opozitare, Rezoluta 1244 nuk e ka definuar pavarësinë e Kosovës, mirëpo që prej tash kjo rezolutë pushon së ekzistuari dhe sipas lojës që do të zhvillohet, Kosova ka arritur në gjysmëfinale, ndërsa në pjesën e dytë pritet finalja e njohjes së Kosovës.

Ish-diplomati dhe hiper-politikani, Vuk Jeremiq në tuiter ka shkruar se transferimi i ambasadës në Jerusalem është kundër rezolutës 478 të OKB-së. Po ashtu, ai ka thënë se Serbia do të përballet me pasoja e sanksione nga Ankaraja dhe shumë shtete të tjera mike arabe dhe myslimane.  

Sipas disa analistëve dhe ekspertëve perëndimorë, bisedat që kanë qenë nën agjendën e Trampit, i kanë shërbyer atij për të ngritur kredibilitetin dhe reputacionin e tij në planin e politikës së jashtme. Presidenti Tramp ka tentuar me një shuplakë të mbytë dy miza dhe me një dorë të mbajë dy shalqinj. Sipas tyre, administrata e demokratëve, si rival po tenton të jetë në Ballkan një aktor strategjik, me qëllim që të dobësohet boshti Kinë-Rusi-Turqi dhe të kthehet SHBA-ja në Ballkanin perëndimor, ku bashkë me BE-në, do të punojnë për demokratizimin dhe evropianizimin e Ballkanit, duke i dhënë fund politikës populiste të nacionalistëve dhe të liderëve autoritarë e totalitarë.

Në anën tjetër, pinjolli i Trampit, i dërguari special në Ballkan, Grenell, me përpjekjet dhe investimet politike që ka bërë si njohës i Ballkanit, arriti që në fund t’i sigurojë Trampit një doping-injeksion për ngritjen e reputacionit të tij para zgjedhjeve të nëntorit.

Sipas analistëve dhe politologëve serbë, pritet që në muajin korrik të vitit të ardhshëm (2021), Beogradi të transferojë ambasadën e saj nga Tel-Avivi në Jerusalem. Vuçiqi i vetëdijshëm për pasojat që mund të vijnë, pret që pas zgjedhjeve të nëntorit të ndryshojë diskursi politik i SHBA-së, me fitoren e demokratëve. Por, edhe po të fitojë Trampi, sipas analistëve, Beogradi do të hapë një zyrë përfaqësuese në Jerusalem. Ndërkaq, vitin e ardhshëm, ekzistojnë gjasat që edhe Kosova të njohë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit çifut.