Ylli i Man Unitedit godet Van Dijkun dhe Milnerin, i quan arrogantë

Mesfushori i Manchester Unitedit, Andreas Pereira, i ka kritikuar dy rivalët e tij në Liverpool, Virgil van Dijkun dhe James Milnerin, duke i quajtur arrogantë.

Braziliani e dha një intervistë për gazetën Desimpedidos në vendlindjen e tij. Aty ai u pyet se cilët rivalë në Premierligë i konsideronte tejet mendjemëdhenj.

Pereira i gëzoi tifozët e Manchester Unitedit duke zgjedhur nga rivalët më të mëdhenj të klubit të tij, dy yjet e Liverpoolit.

Ai i cilësoi Van Dijkun dhe Milnerin si arrogantë, ndërsa tha se personaliteti i tillë i Van Dijkut vërehet qysh nga stili i tij i lojës.

“Me të vërtetë nuk më pëlqen ai djali, Milner”, tha 24-vjeçari.

“Dhe, që ta them të vërtetë, nuk më pëlqen as ai tjetri, mbrojtësi Van Dijk. Ai është një person arrogant. Edhe stili i tij i lojës është disi arrogant”.

Kjo është hera e dytë këtë javë që dikush po i referohet Liverpoolit me termin “arrogant”, pasi edhe trajneri i Chelseat, Frank Lampard, i quajti kështu stafin e Liverpoolit pas një zënke në ndeshjen e së mërkurës mes dy klubeve.