Ultimatumi i Shtëpisë së Bardhë: Fëmijët në shkolla, edhe nëse transmetojnë Covid-19

Vijon situata alarmante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 24 orët e fundit janë raportuar më shumë se 73 mijë raste të reja me Covid-19 dhe për të katërtën ditë radhazi më shumë se 1 mijë viktima. Kjo e çoi bilancin total të të prekurve në mbi 4,1 milionë, ndërsa jetët e humbura që prej shpërthimit të virusit janë 145mijë.

Ekspertët mjekësorë amerikanë po u bëjnë thirrje liderëve politikë që të rivendosin masën e izolimit në mënyrë që të frenohet përhapja e pandemisë. Kalifornia, Nju Jorku dhe Florida janë shtetet amerikane më të goditura.

Përkundër emergjencës së rënduar shëndetësore, ku në disa spitale po mbarojnë shtretërit për të pritur të infektuarit me koronavirus, Shtëpia e Bardhë lëshon një ultimatum për kthimin e fëmijëve në shkolla. “Ka pasur disa raportime se fëmijët janë burim kryesor i transmetimit të Covid-19 tek anëtarët e tjerë të familjes. Por edhe nëse ka transmetim dhe supozojmë se studimet do ta konfirmojnë atë, sërish ne besojmë se studentët duhet të kthehen në shkolla pasi efektet te fëmijët, siç e dimë shkencërisht, nuk janë të njëjta si tek të rriturit”, tha Kayleigh Mcenany, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, Qendra Amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve prezantoi udhëzimet e reja për rikthimin e fëmijëve dhe studentëve në shkolla dhe universitete. Virologu i njohur dhe njëkohësisht drejtues i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, Anthony Fauci, mbështeti këto udhëzime duke nënvizuar se do të mundësojnë siguri.