Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për uljen e çmimit të barnave me recetë në Amerikë

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar katër urdhra ekzekutive që synojnë uljen e çmimeve të ilaçeve në SHBA.

“Katër urdhërat që po firmos sot do të ristrukturojnë plotësisht tregun e barnave me recetë”, tha presidenti amerikan, i cili ka kritikuar prej kohësh çmimet “astronomike”, shkruan BBC.

Masat do të lejonin zbritjen e çmimeve dhe import të barnave më të lira nga jashtë SHBA-ja.

Trump do të takojë shefat farmaceutikë të martën, por disa analistë të industrisë kanë kritikuar këtë veprim, duke thënë se nuk do të kishte shumë efekt.

“Kjo administratë ka vendosur të ndjekë një politikë radikale dhe të rrezikshme për të vendosur çmimet bazuar në tarifat e paguara në vendet që Trump i ka cilësuar si socialiste, e cila gjë do të dëmtojë pacientët sot dhe në të ardhmen”, thonë Prodhuesit Farmaceutik të SHBA-së.

Kujtojmë se SHBA-të janë duke u përballur me një numër të madh të të infektuarve nga Covid-19, ku deri më tash janë raportuar mbi 4 milionë raste dhe mbi 145 mijë viktima.