ShBA-ja shënon mbi një mijë viktima të koronavirusit për të katërtën ditë me radhë

Sipas agjencisë Reuters, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se një mijë të vdekur nga koronavirusi për të katërtën ditë me radhë, për herë të parë që nga pjesa e parë e qershorit.

Në valën e rritjes së rasteve, numri i infektimeve filloi të shtohej në fillim të qershorit, ndërsa shifra e viktimave rreth gjashtë javë më vonë, shkruan “The Guardian”.

Deri më tani në korrik, 19 shtete të ShBA-së i kanë thyer rekordet ditoret për rritjen e numrit të viktimave të koronavirusit, sipas të dhënave të agjencisë së njohur të lajmeve.

Teksasi shënoi rekord prej 206 viktimave të mërkurën, Florida shënoi rekord prej 173 të vdekurve për 24 orë të enjten, ndërsa Kalifornia gjithashtu shënoi rekord prej 159 viktimave për një ditë të martën.

Të premten, numri i viktimave u rrit për 1,019 dhe shkoi në 145,352. Të enjten, kjo shifër ishte 1,140, të mërkurën 1,135 dhe të martën 1,141.

Gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan edhe rreth 68,800 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në mbi 4 milionë persona.