Pompeo: politika amerikane për Kinën “mosbesim dhe verifikim”

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo paraqiti politikën aktuale të Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës në bibliotekën Nixon, në Kaliforninë e Jugut. Ai foli për një zgjedhje mes “lirisë dhe tiranisë”, 48 vjet pasi Presidenti Richard Nixon rivendosi marrëdhëniet me Kinën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee, njofton nga Kalifornia.

Në Bibliotekën Nixon në Kaliforninë Jugore, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo paraqiti qëndrimin e ashpër të administratës Trump ndaj Kinës.

“Modeli i vjetër i angazhimit të verbër me Kinën thjesht nuk do të arrijë gjë. Nuk duhet ta vazhdojmë dhe nuk duhet t’i rikthehemi. Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë, ne kemi nevojë për një strategji që mbron ekonominë amerikane dhe vetë mënyrën tonë të jetesës. Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re”, tha Sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo thotë se mënyra e vjetër e angazhimit me Kinën rezultoi në vetë-censurim të bizneseve amerikane dhe Hollivudit, ndërsa Kina vazhdoi me represion në kontinentin kinez dhe në Hong Kong. Ai thotë se Kina po kërkon mbizotërim global dhe është bërë gjithnjë e më autoritare brenda vendit dhe armiqësore ndaj lirisë jashtë vendit. Fjalimi i zotit Pompeo vjen në të njëjtën javë kur Shtetet e Bashkuara urdhëruan mbylljen brenda 72 orëve të konsullatës kineze në Houston – duke e quajtur atë një qendër të spiunazhit dhe vjedhjes së pronësisë intelektuale.

“Kjo është plotësisht shpifje dashakeqe. Kjo shkatërron urën e miqësisë mes kinezëve dhe amerikanëve”, tha Wang Wenbin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

“E vetmja mënyrë për ta ndryshuar vërtet Kinën Komuniste është të veprosh jo në bazë të asaj që thonë udhëheqësit kinezë, por se si ata sillen. Dhe ju mund të shihni politikën amerikane që i përgjigjet këtij konkluzioni. Presidenti (Ronald) Reagan tha se ai bashkëudhëtoi me Bashkimin Sovjetik në bazë të parimit ‘beso, por verifiko’. Kur bëhet fjalë për Partinë Komuniste të Kinës, unë them se duhet të mos besojmë dhe të verifikojmë”, tha zoti Pompeo.

Nuk është për t’u habitur që Shtetet e Bashkuara po marrin një qasje më të ashpër ndaj Kinës, thotë eksperti për Kinën në “Rand Corporation”, Timothy Heath.

“Ekziston një prirje afatgjatë që nga koha e Presidentit Xhorxh (W.) Bush, për një ngurtësim gradual të pozitës së Amerikës në lidhje me Kinën. Unë mendoj se përfundimisht kjo rrjedh nga realiteti se hendeku në fuqinë kombëtare po ngushtohet, se po zhvillohet një konkurs i vërtetë”, thotë zoti Heath.

Sekretari Pompeo po u kërkon vendeve të tjera që gjithashtu ta mbajnë Kinën përgjegjëse, por mund të mos jetë kaq e thjeshtë.

“Shumë vende janë të varura ose të paktën mbështeten shumë në tregtinë me Kinën. Dhe kështu do të jetë; nuk do ta kenë të lehtë shumë vende të botës të zgjedhin një anë dhe t’i bashkohen SHBA-së në disa nga politikat e vijës së ashpër”, thotë zoti Heath.

Zoti Heath thotë se ekziston një mbështetje dypartiake për një linjë më të ashpër ndaj Kinës, veçanërisht për çështje konkrete, siç janë vjedhja e pronësisë intelektuale dhe qasja e Kinës ndaj Hong Kongut, që mund të jetë një tregues për atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

“Kandidati për president Joe Biden ka shprehur një linjë shumë të ashpër ndaj Kinës, duke i bërë jehonë përsëri, një shqetësimi dypartiak për Kinën. Kështu që, parashikoj se pavarësisht se kush fiton zgjedhjet, shumë nga ato që shihni gjatë administratës Trump do të vazhdojnë”, thotë zoti Heath.

Mbetet për tu parë pyetja nëse kjo përqasje më e ashpër do të jetë më e suksesshme se ajo që u provua nga administratat e tjera./Voa/