Momenti prekës kur nëna ribashkohet me djalin që i ishte rrëmbyer dhe shitur

Një çift kinez është ribashkuar me djalin e vogël pasi foshnja i ishte vjedhur nga spitali dhe i ishte shitur një familjeje që jetonte rreth 1,300 kilometra larg.

Pamjet e publikuara nga policia kineze shfaqin një grua që shpërthen në lot kur takohet me djalin e vet gjashtë ditë pasi i ishte vjedhur nga spitali në provincën Yunnan në jug të Kinës, shkruan “Daily Mail”.

Nëna e emocionuar shihet duke e mbajtur fort fëmijën dhe duke e puthur atë, përderisa bashkëshorti mundohej ta qetësonte.

Sipas një postimi në rrjetet sociale, foshnja ishte rrëmbyer më 5 korrik, vetëm 46 orë pas lindjes. Pas marrjes së njoftimit për këtë rast, policia menjëherë e kishte formuar një ekip hetues.

Pasi i kontrolluan kamerat e sigurisë, policët panë një person të dyshimtë duke dalë nga spitali me një foshnjë rreth orës 2 e 25 minuta pas mesnatës.

Policia më pas i kontrolloi të dhënat e rreth dy mijë veturave dhe hetimet çuan te një automjet i tipit Jeep. I dyshuari me këtë veturë ishte parë shpesh afër spitalit para se të ndodhte incidenti.

Policia e gjeti burrin në një hotel në Lijiang. Ai tha se tashmë e ka shitur foshnjën në një provincë tjetër. Forcat e sigurisë e morën adresën dhe e gjetën fëmijën në duart e një gruaje.

Babai i fëmijës e falënderoi policinë për ndihmën e dhënë për ta gjetur djalin. “Nëse nuk do të ishte ndihma e tyre, unë ndoshta nuk do të mund ta takoja djalin tim për tërë jetën”, tha ai.