Listat e hapura? Shehi: Prodhojnë kualitet por shpesherë fiktiv, jam për ndryshimin e sistemit

I ftuar në emisionin ”Ekopolitikë”, ish-deputeti dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi foli edhe për aktualitetin politik në vend.

Përsa i përket hapjes 100% të listave të kandidatëve për deputetë, Shehi tha se mund të prodhojë kualitet, por sipas tij shpeshherë është fiktive.

Për të, më e mira do ishte ndryshimi i sistemit, në atë mazhoritar të korrektuar me propocionalin.

Dashamir Shehi: ‘‘Unë nuk e shikoj si ndonjë gjë të madhe, unë jam për ndryshimin e sistemit. Siç ka nevojë Shqipëria të përmirësojë të gjitha gjërat, edhe sistemi politik duhet të përmirësohet. Këtu iu mëshua më shumë idesë për të kontrolluar votën, pjesës administrative, idesë për të mos vjedhur votën. Edhe kjo është e rëndësishme, sepse po u vodhën votat, sistemi del jashtë loje, por unë do e kisha ndryshuar.”

”Sistemi i vjetër mazhoritar i korrektuar me propocionalin i bën më shumë punë Shqipërisë, sepse njerëzit dilnin përballë me qytetarët dhe partitë kishin mundësitë të korrektonin dhe të ruanin një pjesë të kuadrove të veta e mund të bënin një politikë promovuese për të rinjtë ose gratë. Mund të bëhej një skenë më e mirë politike dhe nuk do kishim nevojë t’i hynim një eksperimenti. Listat e hapura prodhojnë një lloj kualiteti por shpeshherë eshtë fiktiv. Te lista do privilegjohen ato që janë njerëz publik më shumë, të rinjtë e kanë të vështirë.”