Koronavirusi merr një tjetër jetë tek Infektivi/ Vdes 74-vjeçari nga Kruja, shkon në 129 numri i viktimave

Një tjetër pacient ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv, si pasojë e koronavirusit.

Rasti i fundit bën fjalë për një 74-vjeçar nga Kruja, i cili ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme.

I moshuari ishte shtruar prej afro një jave në spital, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Me rastin e tij shkon në 129 numri i viktimave qysh nga nisja e pandemisë.

Situata paraqitet e rënduar në spital, ku aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 21 janë në terapi intensive dhe 11 pacientë janë të intubuar.