Një pagë rreth 5500 euro në muaj për shqiptarin e Kosovës

Tirana ka bërë prezantimin e parë pasi është shpallur kampione e Superiores për këtë edicion. Siç bëri me dije paraditen e djeshme “Panorama Sport online”, tashmë 25 herë kampionët e vendit e kanë prezantuar zyrtarisht afrimin më të ri. Bëhet fjalë për një qendërsulmues 26- vjeçar shtatlartë që luan si sulmues i parë dhe gjithashtu si sulmues i dytë. Albion Avdijaj është afrimi i parë i kryeqytetasve, që po punojnë për të përforcuar organikën për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në sezonin e fundit, ai ka gjetur pak hapësira dhe është aktivizuar gjashtë ndeshje pa arritur të shënojë. Si profesionist ka realizuar 38 gola.

26-vjeçari është lindur në Zvicër dhe ka qenë pjesë e kësaj kombëtareje deri në moshën 19-vjeçare. Qendërsulmuesi është prezantuar dje nga skuadra bardheblu dhe gazeta ka mësuar se ai do të ketë një pagë rreth 5500 euro në muaj. “Albion Avdijaj është zyrtarisht bardheblu! Sulmuesi 26-vjeçar ka firmosur kontratën që e bën pjesë të Tiranës për dy vitet e ardhshme. Futbollisti iu nënshtrua vizitave mjekësore dhe pas ndeshjes së Laçit do të bashkohet me skuadrën në stërvitje. Avdijaj, me një karrierë të pasur jashtë vendit, vjen si një vlerë e shtuar në familjen bardheblu”, ka shkruar skuadra kryeqytetase dje në rrjetet sociale, duke bashkëngjitur foton e sulmuesit me fanellën bardheblu si dhe momentin e shtrëngimit të duarve me presidentin Halili pas firmës në kontratë.

Avdijaj, pas firmës në kontratë me ekipin 25 herë kampion të Shqipërisë, zyrtarisht ka treguar edhe arsyet pse ka pranuar që të bëhet pjesë e tyre. Në një prononcim ekskluziv për gazetën, ai shpreh njohuritë që ka për Tiranën, historinë e saj dhe mbi të gjitha edhe për tifozët e zjarrtë bardheblu. “Nuk është sekret gjithandej rëndësia që ka klubi kryesor i kryeqytetit për mbarë shqiptarinë. Tiranën e zgjodha për atë që përfaqëson, e që janë një mori përparësish dhe vlerash që po i përmbledh shkurtimisht: Historinë e bujshme sportive, sukseset e konkretizuara me trofe, tifozërinë më të flaktë në vend e të cilët janë pjesë integrale e sukseseve të arritura edhe këtë sezon, reputacionin e mirë që ka klubi në arenën europiane, promovimin e lojtarëve, si dhe normalisht pjesëmarrja në kualifikueset për në Ligën e Kampionëve – stimul shtesë dhe tejet me rëndësi. Janë këto ndër gjërat kryesore që më bindën të vija te klubi kampion”, shprehet ai.

Avdijaj ka qenë pjesë e skuadrave të rëndësishme si Grasshopers, i huazuar te Debrecen apo së fundmi pjesë e ekipit të Viborgut. “Kam luajtur në kampionate e skuadra të rëndësishme të Europës dhe për këto vite karrierë jam zhvilluar profesionalisht dhe kam mësuar shumë gjëra të rëndësishme të cilat mezi pres t’i zbatoj te shtëpia ime e re, duke ndihmuar ekipin të arrijë objektivat për sezonin e ardhshëm duke filluar nga kompeticionet europiane. Po aq e rëndësishme, dua të shpaguaj plotësisht besimin e presidentit Halili dhe pjesës tjetër të drejtimit të klubit”, ka deklaruar Avdijaj.