Juniku: Sfidë e madhe për Kosovën

Kosova A te femrat për herë të parë do të paraqitet në garat ndërkombëtare vitin e ardhshëm. Bordi i FBK-së ka vendosur që të formohet Përfaqësuesja A te femrat dhe të luajë në arenën ndërkombëtare.

Kjo ide është pëlqyer nga komuniteti i basketbollit në Kosovë.

Resmije Juniku, ish-basketbolliste e Gjeneratës së Artë të Universitetit të Prishtinës, në fund të viteve 70-ta dhe në vitet e 80-ta ka folur për këtë ide.

“Do të jetë një sfidë e madhe për Kosovën. Duhet shumë punë. Sigurisht se, është një motivim për gjeneratat e reja. Gjithashtu edhe për disa lojtare me përvojë, të luajnë dhe të përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare. Përvoja është një faktor i rëndësishëm, megjithatë, ajo fitohet duke luajtur, sidomos në garat evropiane. Fillimi nuk do të jetë i lehtë, por me punë mund të arrihen sukseset”, është shprehur Juniku për faqen zyrtare të FBK-së.

Kosova A (femrat) pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19.

Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.