Hakerimi i studimeve mbi vaksinat kundër COVID-19

Një raport i Qendrës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike në Britani këtë muaj akuzoi hakerat të lidhur me zbulimin rusë se kanë sulmuar organizatat që po zhvillojnë vaksina për COVID-19. Raporti ka rritur tensionet diplomatike dhe ka hapur një dritare për inteligjencën farmaceutike botërore.

Raporti i Qendrës Kombëtare Britanike për Sigurinë Kibernetike thotë se hakerat rusë kanë përdorur aplikacione dhe programe kompjuterike për të sulmuar rrjetet e organizatave britanike, kanadeze dhe amerikane që hulumtojnë për të zhvilluar vaksinat COVID-19.

Qendra thotë se grupi APT29 i hakerave – i njohur gjithashtu si “Dukes” dhe “Cozy Bears” – sulmoi kompanitë në përpjekje për të vjedhur informacione rreth zhvillimit dhe testimit të vaksinave COVID-19. Ekspertët thonë se grupi është i lidhur edhe me shërbimet e inteligjencës ruse.

“Ky grup në veçanti ka qenë i njohur për spiunazh të maskuar dhe të heshtur. Objektivat e sulmeve të tyre kanë qënë të profileve të larta si Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë, Komiteti Demokrat Kombëtar në vitin 2015, para se të sulmohej përsëri në 2016-ën nga një grup tjetër. Pra, ky është grupi më i miri për këto punë. Është grupi më i specializuar për inteligjencën me peshë”, thotë Laura Galante, me Këshillin e Atlantikut.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat.

“Ne nuk i pranojmë këto pretendime. Ne nuk e dimë se kush është përpjekur të hakerojë Britaninë dhe për çfarë. Rusia nuk ka asnjë lidhje me këtë”, thotë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit Vladimir Putin.

Ekspertët e sigurisë thonë se përpjekja e hakerimit sugjeron se nën drejtimin e Vladimir Putinit, Rusia nuk ka investuar në llojin e shkencës dhe kërkimeve të nevojshme për të zhvilluar vaksinën e vet.

“Hulumtimet shkencore ruse nuk janë vetëm prapa në krahasim me SHBA-në, Britaninë dhe Evropën. Ato kanë mbetur prapa Kinës, Indisë. Dhe Putini dëshiron shumë ta zhvillojë atë. Por ai kaloi gjysmën e parë të kohës në pushtet duke zhvilluar oligarkinë, zhvillimin e naftës dhe gazit dhe nuk dha fonde për universitete apo sistemin e shkollave publike për të zhvilluar grupin e talenteve që nevojiten për të bërë shkencë të nivelit të lartë”, thotë Matthew Schmidt me Departamentin e Sigurisë Kombëtare në Universitetin Nju Hejvën.

Përpjekjet e pretenduara të hakerimit janë në përputhje me mënyrën se si Moska zhvillon politikën e saj të jashtme, thotë Brian Whitmore, Drejtor i Programit për Rusinë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane.

“Gjithçka, nga skandalet e dopingut, në shkeljet e sovranitetit të Ukrainës, te përdorimi i armëve kimike në territorin e Mbretërisë së Bashkuar … fakti që Rusia do të bënte diçka të tillë nuk duhet të na befasojë aspak”.

Rusia nuk është i vetmi vend që zhvillon këtë lloj spiunazhi kibernetik. Kohët e fundit, disa ligjvënës të lartë republikanë i kërkuar Presidentit Trumpit të vendosë sanksione ndaj Kinës për vjedhjen e hulumtimeve për COVID-19 dhe informacione të tjera.

“Pengesat për kryerjen e këtij lloj aktiviteti janë shumë të ulta, dhe rreziqet janë relativisht të ulta. Spiunazhi kibernetik në të gjithë globin po rritet. Është një metodë që u lejon vendeve një nivel të caktuar mohueshmërie. Ai i ndihmon gjithashtu ato të shmangin veprime që mund të rezultojnë në përgjigje më agresive nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj”, thotë Klon Kitchen me Fondacionin Heritage.

Sipas raportit të qendrës britanike, deri tani duket se grupi hakerues nuk ka vjedhur inteligjencë të vlefshme ose nuk ka ndërhyrë në kërkime për të zhvilluar vaksinën./VOA