Teqja tani firmos në Francë!

Pas akordit të gjetur prej disa ditësh, Olsi Teqja, ish-futbollisti i shumë skuadrave në Shqipëri por që ka provuar edhe Maqedoninë e Veriut (Shkëndija e Tetovës, luajti ndaj Milanit në Europa League), ka firmosur zyrtarisht me Beauvais Oise, klub i ligës së katërt.

Sezoni i fundit i mbrojtësit ishte me fanelën e Kukësit, që ka kuptuar dëshirën e 31-vjeçarit për një eksperiencë ndryshe jashtë vendit. Klubi i Kukësit, ditën e sotme ka dalë me njoftim dhe e falënderon ndërkohë Teqen dhe i uron suksese në vazhdim.

“Klubi njofton se mbrojtësi Olsi Teqja nuk është më pjesë e skuadrës së Kukësit.

Mbrojtësi kishte kontratë deri në fundin e këtij sezoni, por klubi ka pranuar kërkesën e futbollistit që të largohet para se të mbyllet zyrtarisht kampionati, duke mirëkuptuar dëshirën e tij për të firmosur në një kampionat tjetër.Teqja është zyrtarisht futbollist i skuadrës franceze të Beauvais Oise. Klubi e falënderon mbrojtësin për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit, ku ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë dhe i uron suksese në aventurën e tij të re!”, shkruhet në njoftimin e klubit verilindor të Kukësit.