SHBA, laboratorët nuk përballojnë barrën e testeve

Laboratorët në mbarë SHBA po ndiejnë barrën e rëndë të testeve të shtuara për koronavirusin.

Shtimi i kërkesave ka rezultuar në pritje të gjata dhe ekspertët thonë se vonesat në dhënien e rezultatit minojnë përgjigjen ndaj pandemisë. Ndërkohë që numri i total i të diagnostifikuarve me koronavirus deri tani ka arritur në 3.9 milionë vetë dhe ritmet e përhapjes po intensifikohen, mbingarkesa në laboratorët e diagnostikimit po krijon problem për amerikanët që nuk mund të kthehen në punë deri kur të marrin rezultatin negativ në analiza, si dhe institucione si shtëpitë për të moshuarit që përpiqen të pengojnë përhapjen e sëmundjes në mjediset e tyre, thotë Zëri i Amerikës.

Stres të madh po përjetojnë edhe vetë laboratorët që duhet t’u përgjigjen kërkesave në rritje për teste. Disa laboratorë nuk japin përgjigje për analizat për disa javë, duke shkaktuar frikë tek ata që kanë bërë testin, por edhe duke lënë të hapur rrezikun që persona të infektuar, pa simptoma të vazhdojnë të infektojnë të tjerët, ndërkohë që nuk kanë marrë ende përgjigjen për diagnozën.

Në SHBA vonesat në rezultatet e testeve përbëjnë një shqetësim aktual, e kjo teksa në shkallë globale numri i personave të konfirmuar me koronavirus arriti të mërkurën 15 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins. SHBA kryeson si nga numri i infektimeve, ashtu edhe nga viktimat me mbi 142 mijë të vdekur nga COVID-19.