Rastet me coronavirus në Amerikën Latine arrijnë në 4 milionë, gjysma e tyre vetëm në Brazil

Brazili dhe Argjentina regjistruan të dhënat e përditshme për rastet e konfirmuara të coronavirusit të mërkurën, duke “shtyrë” numrin e përgjithshëm të rasteve në Amerikën Latine në 4 milionë dhe duke nënvizuar vështirësinë me të cilën përballet rajoni në kontrollin e pandemisë.

Sipas medieve të huaja, Brazili regjistroi 67.860 raste shtesë të virusit të mërkurën, së bashku me 1,284 vdekje të lidhura.

Kjo solli numrin e përgjithshëm të rasteve në vendin më të madh të Amerikës Latine në 2,227,514, ndërsa vdekjet u rritën në 82,771.

Ndërkohë, Argjentina fqinje regjistroi një “rekord të përditshëm” prej 5,782 raste të konfirmuara, shumica e tyre brenda dhe rreth kryeqytetit, Buenos Aires, duke çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në vend në 141.900.

E Peruja, që ka numrin e dytë të rasteve më të lartë në Amerikën Latine pas Brazilit, shtoi 3,688 persona të panumëruar më parë në numrin e vdekjeve të saj të mërkurën, duke bërë që numri i viktimave të arrijë në afro 17,500.

Numrat tregojnë për vështirësitë që kombet në të gjithë rajonin kanë pasur në kontrollin e pandemisë, pavarësisht strategjive të ndryshme për të luftuar shpërthimin.

Në Brazil, presidenti i krahut të djathtë Jair Bolsonaro vazhdimisht ka minimizuar seriozitetin e pandemisë, duke lënë kryetarët e bashkive dhe qeveritarët e shtetit të zbatojnë një pjesë të urdhrave të karantinës që janë relaksuar në mënyrë progresive.

Në anën tjetër, Argjentina dhe Peru miratuan bllokime të rrepta herët, por kurrë nuk arritën të eliminojnë transmetimin e virusit në komunitet, dhe, si në Brazil, udhëheqësit janë përballur me presion në rritje për të hapur ekonominë.