Në vitin 1999 e tëra Kosova në këmbë, ja çfarë kishte thënë Ajet Shosholli! Në përbërjen e Prishtinës edhe komandanti i UÇK-së 

Me 23 korrik të vitit 1999, festë futbolli në stadiumin e Prishtinës (sot “Fadil Vokrri).
E tërë Kosova në këmbë! Mbi 20 mijë shikues ia kishin mësyrë stadiumit të Prishtinës, me këngë e valle e brohoritje besa besë, UÇK, UÇK, Prishtina, Prishtina, Tetova, Tetova etj. Pas tetë viteve Prishtina po kthehet në folenë e vet, në stadiumin që ishte uzurpuar nga forcat e pushtuesit serb. 

Stadiumi ishte uzurpuar nga bandat e Arkanit pikërisht me 15 gusht të vitit 1991, ndërsa Prishtina u rikthye pas 8 viteve pikërisht me 23 korrik duke luajtur ndeshje revyale me të përzgjedhurit e Tetovës!

Ajet Shosholli, kryetrajner i Prishtinës atëkohë, me emocione e krenari e udhëhiqte Prishtinën, që në radhët e saj kishte edhe disa lojtarë të ligës së parë ish jugosllave, si Isa Sadriu, Afrim Tovërlani, Fadil Berisha, po ashtu edhe të ligës së dytë ish jugosllave, si Adil Vokrri, Kushtrim Munishi, Ahmet Beselica.

Image

Ali Osmani, Sylejman Selimi, Bahri Berisha dhe Ajet Shosholli

Në petkun e Prishtinës luante edhe ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi.  Selimi kishte luajtur standardë në këtë përballje duke dhënë maksimumin. Festë, lojë e madhe e rrebesh gola,  por fitorja i takoi Prishtinës me rezultat 4:3.

“Ishte ndeshje revyale që e zhvilluam ende të papërgatitur, mirëpo, besoj se ishte kjo një hyrje ngadhënjimtare në fushën tonë, me një fitore në të cilën ne patëm më shumë fat sesa miqtë tanë nga Tetova. Përshëndes edhe shikuesit tanë që dhanë një kontribut të madh me ardhjen e tyre në stadium”, kishte thënë pas ndeshjes Ajet Shosholli.  Në radhët e të përzgjedhurve të Tetovës është paraqitur Qatip Osmani e disa emra të njohur. Atëkohë, në stadium kanë qenë edhe shumë figura politike, ushtarake e kulturore, ndër ta edhe Hashim Thaçi.

Prishtina-Tetova 4:3
Stadiumi i qytetit në Prishtinë.
Shikues 20.000.
Gjyqtarë: Ibrahim Delibazhzade, Shemsi Humolli e Sylejman Havolli.
Shënues: Keçi (26′), Vokrri (45′), Jusufi (49′), Munishi (58′) – Emini (17′), Jonuzi (53′), Osmani (72′).
Prishtina: Beselica, M. Humolli (Durmishi), Sadriu (Aliu), Duraku, Berisha, Selimi (Q. Humolli), Keçi (Osmani), Jusufi, Vokrri, Tovërlani (Ahmeti) dhe Munishi.
Tetova: Zeneli (Hasani), Qamili, Sahiti (Emërllahu), Hodai, Nesimi, Jahiu, Emini (Ademi), Pirro, Jonuzi, Livoreka (Ymeri) dhe Osmani (Mustafi).