Në Dibër katër të infektuar të rinj me Kovid-19, një i shëruar dhe një i vdekur

Dibër, 23 korrik 2020 (MEDIAL) – Në Dibër rritet numri i të infektuarve të rinj me Kovid-19, i të shëruarve, por edhe i të vdekurve.

Sipas të dhënave zyrtare në 24 orët e fundit janë regjistruar katër raste të reja me Kovid-19, një person e ka fituar betejën me virusin e rrezikshëm, ndërsa një e ka humbur betejën.

Me të diagnostifikuarit e rinj, numri i përgjithshëm i të infektuarve tani arrin 179. 59 janë shëruar, gjashtë e kanë humbur jetën, ndërsa 114 janë aktivë, dhjetëra prej tyre janë hospiotalizuar në Klinikën infektive dhe në spitalin “8 shtatori” në Shkup.

Nga numri i përgjithshëm madje 128 janë nga faza e dytë e infektimit, pasi me rastin e regjistruar në fshatin Kosovrasti i Poshtëm, më pesë qershor, sëmundja sërish pas pesëdhjetë ditëve, u kthye në këtë rajon. Vetëm në gjashtë ditët e fundit janë regjistruar 25 raste, më së shumti të premten.

Sipas Shtabit operativ komunal, i cili situatën edhe më tej e vlerëson si shumë serioze, përhapja e virusit është pasojë e nivelit të lartë të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga ana e qytetarëve si dhe subjektet afariste të qytetarëve të cilët në përgjithësi nuk i respektojnë protokollet e punës, as orarin e punës. vt/fb/