Institucionet e tjera financiare i dyfishuan mjetet për gjashtë vite

Shkup, 23 korrik 2020 (MEDIAL) – Institucionet e tjera financiare (ITF) në të cilat bëjnë pjesë fondet investuese dhe pensionale, shoqatat e sigurimeve, brokere dhe financiare në shtet e rritën për katër pikë procentuale pjesëmarrjen e tyre në kuadër të sektorit financiar gjatë gjashtë viteve të kaluara. Nëse ITF në tremujorin e parë të vitit 2014 dispononin me 53 miliardë denarë, pjesëmarrja e tyre sot është rritur pothuajse më shumë se dyfish dhe paraqet 121,472 miliardë denarë, me pjesëmarrje më të madhe të fondeve pensionale dhe shoqatave të sigurimeve.

Kjo statistikë siguron të dhëna të hollësishme dhe me kohë për ndjekje dhe analizë të lëvizjeve tek ky sektor sipas llojeve të institucioneve financiare. Njëherit, ka kontribut në vendimet për udhëheqjen e politikës monetare, vlerësim të ndjeshmërisë në sistemin financiar, implikime ndaj stabilitetit financiar…

“Qëllimi ynë është vazhdimisht ta rrisim transparencën dhe llogaridhënien e bankës qendrore, përmes afrimit të të gjitha statistikave dhe të dhënave që i prodhojmë dhe që janë relevante për opinionin, në çka rol kyç kanë gazetarët”, tha gjatë fjalimit në punëtori guvernatorja e Bankës popullore, Anita Bezhoska Angellovska.

Në kuadër të BE-së, pjesa e ITF paraqet 20 për qind, ndërsa 80 për qind të tjera janë të sektorit bankar.

“Si trend që po ndodhë në periudhën pas krizës ekonomike globale është një trajektore në rritje tek këto institucione të tjera financiare. Vërehen madje edhe shkallë dyshifrore të rritjes, prej të cilave nuk jemi përjashtim as ne. Një nga sqarimet për atë janë reformat e bëra rregullatore në sferën financiare në periudhën e pas krizës”, sqaroi guvernatorja.

Ky trend, tha, është i rëndësishëm në disa aspekte. Nga njëra anë do të thotë ofertë më e madhe e prodhimeve financiare, mundësi të reja investuese, … por nga ana tjetër kërkon edhe kujdes më të madh, para së gjithash, mbrojtja e konsumatorëve për ndërmarrje të rreziqeve të mëdha përmes edukimit financiar dhe vendosjes së mekanizmave institucional për mbrojtjen e tyre.

“Me vetë rritjen e këtyre mjeteve, rritet edhe rëndësia e tyre për stabilitetin e përgjithshëm financiar”, potencoi Angellovska Bezhovska, duke cekur se në mars të këtij viti kur filloi kriza me pandeminë në SHBA pati turbulenca të mëdha në tregjet financiare mu në këtë pjesë tek  institucionet e tjera financiare që tregon se reforma e madhe globale e rregullativës financiare ende nuk ka përfunduar.

Në pajtim me të dhënat e fundit të disponueshme për tremujorin e parë të vitit 2020, në vend, pothuajse gjysma e mjeteve të ITF paraqesin investime në letra me vlerë të borxhit me pjesëmarrje prej 49,7 për qind, përderisa investimet në letra vetanake me vlerë dhe valuta e depozita marrin pjesë me 19,4 për qind dhe 16,1 për qind në mënyrë adekuate.

Shoqatat e sigurimeve të cilat janë nënsektori i dytë më i madh i ITF me 21,3 për qind pjesëmarrje, janë me politikë të ngjashme të investimit, si fondet pensionale. Dominojnë mjete të investuara në letra me vlerë të borxhit (40,3 për qind pjesëmarrje në mjetet e përgjithshme në tre muajt e parë të këtij viti, kryesisht në bono shtetërore në valuta të huaja, pas çka pasojnë investimet në valuta dhe depozite me 24,4 për qind kërkesa të tjera me 17,8 për qind.

Fondet investuese, një pjesë të konsiderueshme të mjeteve (rreth 42,9 për qind në tremujorin e parë të këtij viti) i investuan në valuta dhe depozita në banka, përderisa mjetet e tjera, pothuajse në mënyrë të[ barabartë (27,8 për qind dhe 28,6 për qind, në mënyrë adekuate), i investojnë në letra me vlerë borxhi dhe letra vetanake me vlerë. ab/