David Villa i përgjigjet gruas e cila po e akuzon për ngacmim seksual

Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Spanjës, David Villa, i ka hedhur poshtë pretendimet e një gruaje se ajo është ngacmuar seksualit nga ai gjatë kohës së tyre në New York City FC në SHBA.

Një përdoruese e Twitterit ka hedhur akuza se Villa e kishte ngacmuar vazhdimisht kur ata ishin pjesë e klubit të futbollit New York City FC.

Rasti është duke u hetuar nga klubi amerikan.

“Tamam kur mendova se m’u dha një mundësi jetësore kur e fitova të drejtën për praktikë. Ajo çfarë në realitet fitova ishte David Villa që më prekte mua çdo ditë të dreqit dhe shefat e mi mendonin se ishte material i mirë për komedi. Gratë që kanë mjaft guxim për t’i rrëfyer tregimet e tyre kaq zëshëm janë heroinat e mia. Një ditë”, kishte shkruar gruaja në fjalë në Twitter.

Por, reagimi i Villës ka qenë i menjëhershëm, përmes të cilit ish-sulmuesi spanjoll i mohon akuzat.

“I kundërshtoj fuqishëm akuzat e bëra ndaj meje në Twitter. Këto akuza janë plotësisht të rreme dhe unë i mohoj ato”, shkroi Villa në një komunikatë.

“Mësova se ajo shkroi në Twitter se ishte praktikante dhe se u largua nga klubi në funde të vitit 2019, një vit pasi jam larguar unë”, shtoi ai.

“Nuk kam dëgjuar për këto akuza paqarta nga klubi apo nga ndokush tjetër, derisa ato u postuan këtë fundjavë. Natyrisht se do të bashkëpunoj me klubin, duke qenë se akuzat e saj të përgjithshme i drejtohen edhe klubit”, nënvizoi ai.