Bylis-Tirana mbetet pezull

Bylis-Tirana, ndeshja shumë e përfolur dhe e dyshuar për trukim në interes të basteve, vazhdon të mbetet pezull dhe nuk ka ende asnjë vendim nga Komisioni i Etikës.

Gjysmëfinalja e vajtjes së Kupës së Shqipërisë, e zhvilluar në “Adush Muça” të Ballshit, vazhdon të jetë nën lupën e hetuesve dhe specialistëve, por ditën e djeshme anëtarët e Komisionit të Etikës nuk janë paraqitur në zyrat e FSHF (përveç Fatmir Brakës dhe Bashkim Kokës).

Nuk ka ende një datë të dytë se kur mund të mblidhet sërish, teksa edhe dëshmia me shkrim e presidentit bardheblu, Refik Halili, ka mbërritur në këto istanca të futbollit shqiptar.

Materialet janë mbledhur të gjitha, nga dëshmitë e arbitrit Juxhin Xhaja te ato të delegatit Besnik Çela, që janë pasuar me Besnik Kapllanaj (presidenti i Bylisit), Veljko Dovedan (trajneri) dhe futbollistët Valentino Murataj dhe Jurgen Goxha dhanë deklaratat e tyre.

Të martën e shkuar, nga Tirana në Komisionin e Etikës u paraqitën trajneri Emanuel Egbo dhe futbollistët Erando Karabeci dhe Ilion Lika. Nuk mungoi edhe presidenti i bardhebluve, Refik Halili dhe drejtori i përgjithshëm Arbi Laçi.