Antikorrupsioni kërkon rishqyrtim të procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të KD të KLV-së, dhe urdhëresë kundërvajtëse për drejtorin e Agjencisë së filmit

Shkup, 23 korrik 2020 (МИА) – Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) do të dorëzojë iniciativë në Qeveri me të cilën do të kërkojë rivlerësimin e sërishëm të procedurës së përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit për letra me vlerë (KLV), si dhe informacion në përbërjen e re parlamentare për aktivitetet e ndërmarra në raport me vetë procedurën dhe të ndiqet ky proces, informuan nga KSHPK-ja në konferencën e sotme për media.

Do të kërkohet të përcaktohet përgjegjësi dhe të ndërmerren sanksione për personat që nuk i kanë respektuar afatet dhe pse nuk është formuar komisioni për kontroll administrativ të kallëzimeve të pranuara, si dhe pse Komisioni qeveritar për emërim nuk e ka kryer punën, por edhe të shihet se kush është përgjegjës për veprim e paligjshëm dhe moszbatimin e procedurave të parashikuara me ligjin dhe të përcaktohet përgjegjësia.

– Kjo është ajo që e komentojmë vazhdimisht për korrupsion sistemor, kur korrupsioni paraqitet në nivelet më të larta të organeve shtetërore, çfarë mbetet për korrupsionin në organet tjera. Gjithçka është sipas Kushtetutës dhe ligjit, por asgjë nuk është e drejtë, ndërsa puna jonë është që të zbardhim gjithë këtë, tha Katica Nikollovska nga KSHPK-ja.

Sipas saj, më interesante është zgjedhja e anëtares së KLV-së Lile Delixhakova, motër e Katica Janevës, për të cilën një pjesë e dokumenteve që i ka dorëzuar në aplikacionin janë me datë më vonë se data deri në të cilën është dashur të dorëzohen në Qeveri. Qeveria e ka zgjedhur pa siguruar dokumentacionin e plotë të nevojshëm në përputhje me Ligjin për letra me vlerë.

KSHPK-ja do të ngritë edhe iniciativë në Qeveri për nisjen dhe përcaktimin e përgjegjësisë edhe për u.d. drejtor i Agjencisë së filmit, Gorjan Tozija, e lidhur me mosveprimin gjegjësisht shkeljen e procedurave në procedurat për pagesën e projekteve filmike në përputhje me Ligjin për veprimtari të filmit dhe marrëveshjet për financimin e projekteve filmike të zgjedhura në konkurs dhe të nënshkruara mes producentëve të filmit dhe Agjencisë së filmit.

Lidhur me këtë lëndë janë edhe supozimet se në Këshillin e filmit të Agjencisë së filmit ka situata të konfliktit të interesave, për çka KSHPK-ja pasi i ka shqyrtuar supozimet ka përcaktuar se drejtori ka kompetencë të emërojë anëtarë të Këshillit të filmit, të cilët nga ana tjetër japin mendime për projektet filmike dhe që më tutje drejtori i propozon në KD.

KSHPK-ja do të iniciojë edhe urdhërpagesë kundërvajtëse për Tozijan. Më tutje, drejtori ka kompetencë të emërojë këshilltar të filmit, ndërsa KSHPK-ja ka përcaktuar se në mesin e pesë anëtarëve të këshillit të filmit gjenden persona të cilët kanë emërim të dyfishtë.

Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së foli për lëndën nga informator për punësimin e dy personave në një ndërmarrje të njëjtë publike me ndihmën e agjencive për punësim të përkohshëm, e përmes ndikimeve të anëtarëve të Këshillit drejtues.

Bëhet fjalë për anëtar të KD-së i cili një vit pasi është bërë anëtar i KD-së është punësuar në NP-në e njëjtë përmes Agjencisë për punësime të përkohshme.

– Nga një anë ai ka mundësi si anëtar i KD të marrë pjesë në zgjedhjen e drejtorit, e nga ana tjetër drejtori vendosë për punësimin e tij përmes Agjencisë për punësime të përkohshme, tha Ivanovska dhe theksoi se ligji material parashikon se nga radhët e të punësuarve mund të zgjidhen anëtarë të KD-së, mirëpo rasti i anasjelltë nuk është parashikuar në ligjin.

Në rastin e dytë bëhet fjalë për një të punësuar, babai i së cilës është anëtar i KD-së, ndërsa ajo është e punësuar në NP përmes Agjencisë për punësime të përkohshme.

– Për ne janë kontestuese këto punësime përmes agjencive për punësime të përkohshme për shkak se evitohet mënyra transparente e punësimit, procedura është shumë e shkurtuar, nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme as llojit dhe nivelit të arsimit, nuk ka konkurrencë transparente dhe në të shumtën e rasteve janë persona që në listën janë hasur sipas meritave partiake, tha mes tjerash kryetarja e KSHPK-së, duke shtuar se bëhet fjalë për lëndë prej vitit 2015.

Sipas saj, në shtetin tonë, më e rrezikshme se gjithçka është korrupsioni ligjor dhe nevojitet që sa më shpejtë Kuvendi i ri që do të formohet t’i rreket rregullimit të rregullave ligjore. Gjatë vitit të kaluar, bëri të ditur ajo, KSHPK-ja bëri një kontroll antikorrupsion të tetë ligjeve dhe e thekson rregullativën ligjore për punësimin dhe janë detektuar të gjitha pikat e dobëta. Konsideron se nevojitet vullnet politik që kjo të ndryshohet dhe të mos ndodhin lëshime. Lidhur me supozimet për keqpërdorime në IPSH Klinika universitare e reumatologjisë në Shkup për dyshime për konflikt të interesave ndryshime në sistematizimin për shkak të vendosjes dhe avancimit të njerëzve të tyre pa mbajtur llogari për profesionalizmin e tyre, KSHPK-ja ka konstatuar se bazat e përmendura në kallëzimin nuk janë konfirmuar pas çka procedura për këtë lëndë ndërpritet.

Ndryshe, mes tjerash në kallëzimin bëhet e ditur se Dr. Martin Ivanovski i cili është përzgjedhur udhëheqës i Repartit, përmendet për ndikim dhe kurdisje të tenderëve, futjen e ilaçeve të pakontrolluara fals me prejardhje të dyshimtë për të cilat janë kryer disa kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në Klinikë dhe në kompaninë e ilaçeve “Panovski”, si dhe kurdisje të tenderëve për furnizimin e ilaçeve për sëmundje të rralla nga kompania e ilaçeve

për Klinikën, me nënvizimin se Irina Panovska Stavridis është drejtore dhe anëtare e Komisionit kombëtar për sëmundje të rralla, ndërsa babai i saj është pronar i kompanisë së ilaçeve.

– Supozimet në bazat e përmendura të kallëzimit nuk janë vërtetuar pas çka procedura për këtë lëndë ndërpritet dhe lënda arkivohet”, tha anëtari i KSHPK-së i cili e arsyetoi këtë lëndë dhe theksoi se kjo lëndë është mjaft voluminoze dhe në të është punuar një kohë të gjatë në grumbullimin e informacioneve nga institucionet.