Vendoset e ardhmja e trajnerit Pioli te Milani

Milani nëpërmjet një komunikate zyrtare, ka njoftuar rinovimin e kontratës së Stefano Piolit deri në vitin 2022.

Ky i fundit do të jetë në klub edhe për dy sezonet e ardhshme, pasi ka bindur me punën e tij gjatë vitit 2020 dhe sidomos që prej rifillimit të kampionatit në muajin qershor.

“AC Milan njofton se ka arritur akordin me Stefano Piolin për zgjatjen me dy sezone të kontratës si trajner, e cila tashme do të skadojë në verën e 2022-shit”, thuhej në komunikatën e klubit kuqezi.

Në anën tjetër Pioli ka falënderuar të gjithë në klub, lojtarët dhe tifozët. Sipas tij Milani do të vazhdoj të rritet.

“Jam i lumtur dhe krenar për besimin që kam marrë nga Milani. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë edhe fansat tanë që kanë munguar në stadiume, por kemi qenë gjithmonë pranë tyre dhe solidarë me ta. Siç e kam thënë gjithmonë, e ardhmja jonë është sot”.

“Duhet të qëndrojmë të përqendruar, të bashkuar dhe si një skuadër e vërtetë. Jemi në fillim të një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Nëse vijojmë të punojmë kështu, do të rritemi më shumë dhe do të jemi më konkurrues”, ka thënë Pioli.