SHBA urdhëron Kinën ta mbyll konsullatën në Houston, shihet tym i zi duke dalë nga oborri i saj – dyshohet se punonjësit e saj po djegin dokumente

Kina ka njoftuar sot që Washingtoni befasisht dhe pa ndonjë shpjegim ka kërkuar të mbyllet konsullata kineze në Houston të Teksasit, gjë që Pekini zyrtar e ka dënuar ashpër këtë veprim duke kërcënuar me masa të reciprocitetit.

Përfaqësuesi i ministrisë së Punëve të Jashtme i Kinës, gjatë një konference të përditshme për media ka deklaruar se SHBA-të kanë njoftuar Kinën se duhet ta mbyllë konsullatën e saj në Houston, .

Mediat lokale në Houston kanë njoftuar se zyrtarët e ambasadës kineze, gjatë natës kanë djegur dokumete në oborrin e konsullatës kineze.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, ka deklaruar se konsullata është mbyllur për të “mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe informacionet private të amerikanëve”, shkruan AFP.

“Konventa e Vjenës thotë që diplomatët duhet të ‘respektojnë ligjet dhe rregullat e vendit nikoqir’ dhe se ‘obligohen të mos përzihen në punët e brendshme të atij shteti’”, shtoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

E policia në Houston ka shkruar në Twitter se kanë vërejtur tym duke dalë nga oborri i konsullatës kineze, por se me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policisë nuk ishte lejuar hyrja në hapësirat e konsullatës.

Një video amatore autenticiteti i të cilës ende nuk është konfirmuar, shihen disa persona duke djegur dokumente, ku pretendohet se janë punonjës të konsullatës.