Më 1 Shtator hyn në fuqi ligji për kriptomonedhat

Është botuar në Fletoren Zyrtare ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat.

Ligji, i cili ishte kthyer nga Presidenti i Republikës, si një rrezik për pastrim parash, pritet që të hyjë në fuqi në 1 shtator.

Në po të njëjtën Fletore Zyrtare është miratuar dhe vendimi i Kuvendit që rrëzon dekretin e Presidentit, duke i hapur rrugë përdorimit zyrtar të monedhave virtuale në vend.

Shqipëria bëhet në këtë mënyrë një nga të paktat vende të Europës që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale.

Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian. Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019, sipas relacionit që shoqëron projektligjin.

Ligji synon të bëjë rregullimin, ndalimin në rast abuzimi dhe marrjen e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, duke nënvizuar se rregullimi është variant që po përqafohet në shumë vende, si alternativë për kontrollin dhe mbarëvajtjen.

Tokenët dixhitalë dhe monedhat virtuale janë një lloj aktivi virtual, thelbësisht të varur nga teknologjia e regjistrave të shpërndarë (“Distributed Ledger Technology” – DLT), të cilët i japin përdoruesit të drejta përfitimi, pronësie ose mund të përdoren si instrument pagese apo mjet utilitar, në procesin e blerjes së produkteve apo të shërbimeve, shpjegohet në relacion. /Monitor