Eksperti i lartë i OBSH-së: Mos prisni vaksinimet e para për COVID-19 deri në fillim të vitit 2021

OBSH po punon për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave, por ndërkohë është thelbësore për të “shtypur” përhapjen e virusit.

Kështu ka thënë Mike Ryan, kreu i programit të urgjencave të OBSH-së, pasi rastet e reja në të gjithë globin janë në nivele gati-rekord, shkruajnë mediat e huaja.

“Ne po bëjmë përparim të mirë”, ka thënë Ryan, duke vënë në dukje se disa vaksina tani ishin në provat e fazës 3 dhe asnjëra nuk kishte dështuar, deri më tani, në aspektin e sigurisë ose aftësisë për të gjeneruar një përgjigje imune.

“Realisht do të jetë pjesa e parë e vitit të ardhshëm para se të fillojmë të shohim njerëz që vaksinohen”, citohet të ketë thënë ai në një ngjarje publike në mediat sociale.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit, më shumë se 15 milionë raste me coronavirusin e ri janë regjistruar zyrtarisht në botë, prej të cilëve 1 milion në të paktën pesë ditë, sipas të dhënave zyrtare.

Të paktën 15,007,291 raste, prej të cilave 617,603 të vdekur janë regjistruar në botë, veçanërisht në SHBA, vendi më i prekur nga pandemia me 3,915,780 raste dhe 142,312 të vdekur dhe në zonën e Amerikës Latine dhe Karaibe me 3 956 997 raste dhe 167 377 të vdekur, raporton ATSh.

Në shtatë ditë, më shumë se 1,6 milion raste të reja janë regjistruar në botë.

Ky numër i rasteve të diagnostikuara nuk reflekton numrin real të kontaminimeve pasi shumë vende testojnë vetëm rastet që kanë nevojë për shërbim spitalor.