Ahmeti konfirmon ftesën e Hagës si dëshmitar

Shkup, 22 korrik 2020 (MEDIAL) – Kryetari BDI-së, Ali Ahmeti ka konfirmuar se është ftuar nga Prokuroria speciale në Hagë. Ahmeti në Fejsbuk ka shkruar se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe se ka pranuar ftesën si dhe ka ofruar bashkëpunimin me zyrtarët e Hagës.

“Sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time. Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht Prokuroria speciale e Kosovës, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë. Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviqit”, shkruan Ahmeti në profilin në Fejsbuk.

Ndryshe, javën e kaluar në Gjyqin e Hagës ka qenë i ftuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka dhënë dëshmi për rolin e tij në luftën e Kosovës. fab/