Taravari: ASH dhe Alternativa të hënën do të protestojnë kundër vjedhjes së votave

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sonte për TV “24 Vesti” deklaroi se bashkë me Alternativën të hënën e ardhshme do të mbajnë marsh protestues me porosinë “Mjaftë më” me qëllim që ta shprehin revoltën kundër keqpërdorimit të votave dhe mbushjes së kutive në zgjedhje.

Siç paralajmëroi Taravari, protesta do të fillojë nga Çairi i Shkupit, ndërsa është paraparë që të përfundojë para zyrës së BE-së në Shkup dhe para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Porosia e marshit është – stop mbushjes së kutive, leni popullin që ta shprehë vullnetin e tij politik”, tha Taravari, duke shtuar se posedojnë emra dhe mbiemra se kanë votuar të ndjerë, ndërsa me këtë ishte informuar edhe Misioni i OSBE/ODIHR.

Taravari tha se është bërë vjedhje brutale e votave në bllokun shqiptar, ndërsa ankesat deri te Gjykata Administrative kanë të bëjnë me Njësinë e Pestë dhe të Gjashtë Zgjedhore. Ai gjithashtu nuk pret se do të pranohen ankesat e tyre nga Gjykata Administrative.

Në pyetjen rreth bisedimeve për formimin e Qeverisë, Taravari tha se për ta janë të hapura të gjitha opsionet, por kushti kryesor është që BDI-ja të mos jetë pjesë e shumicës parlamentare, duke përsëritur qëndrimin e udhëheqësisë së partisë se pas 18 viteve duhet të bëhet ndryshim në bllokun politik shqiptar.

[adrotate banner=”12″]