Rrjedh afati për dorëzimin e padive në Gjykatën Administrative

Shkup, 21 korrik 2020 (MEDIAL) – Rrjedh afati për parashtrimin e padive në Gjykatën Administrative pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve unanimisht i hodhi poshtë të gjitha 2.142 ankesat e parashtruara nga partitë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

KSHZ duhet t’i dorëzojë vendimet partive politike dhe pastaj të fillojë të rrjedhë afati 24 orësh për parashtrimin e padive, pas së cilës Gjykata Administrative ka 60 orë të vendos. Deri mbrëmë nuk ka arritur asnjë ankesë nga partitë.

“Jemi të gatshëm të marrim padi nga përfaqësuesit e autorizuar të listave të kandidatëve për deputetë gjatë ditës së sotme ose nesër, por deri më tani nuk janë parashtruar padi”, tha mbrëmë kryetari i Gjykatës Administrative Burim Sejdini.

Ai gjatë pjesëmarrjes në Top Tema, shfaqi shpresën se nuk do të vijë deri te bllokimi i gjykatës, sepse janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat që gjykata të funksionojnë me tërë kapacitetin e saj.

“Është hedhur short në këshillat për vendosje  pas zgjedhjeve, kështu që, jemi të bindur që Gjykata Administrative do të arrijë në kohë t’i kryej detyrat e saj ligjore, e ajo është të sjell vendime për paditë e parashtruara dhe të kemi rezultate përfundimtare zyrtare pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të vitit 2020”, tha Sejdini.

Përsëriti se po bëhen përpjekje të organizohet edhe gjykata të veprojmë në mënyrë sa më efikase që mundet.

“Për herë të parë, Gjykata Administrative, siç janë paralajmërimet, do të përballet me këtë numër padish. Aktualisht, të gjithë bashkëpunëtorët profesionistë, të gjithë gjyqtarët janë në dispozicion, ne jemi duke bërë simulime të duhura për të siguruar që ne të vendosim në kohën e duhur brenda 60 orësh pas pranimit të padive”, tha Sejdini.

Jemi të bindur, shtoi ai se vendit tonë i nevojitet sa më shpejtë të arrijë deri te rezultatet përfundimtare zyrtare që të mundet përfundimisht të funksionojë pushteti legjislativ.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative dhe marrjes së vendimeve të mundshme nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e së drejtës së votës, KSHZ, në përputhje me ligjin, Komisioni do të shpall rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. KSHZ më pas do të lëshojë vërtetime për deputetët e zgjedhur. Afati i fundit për mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit është 4 gushti.

Padi në Gjykatën Administrative paralajmëruan partitë politike VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, E Majta dhe Integra. sn/