Ndarja nga jeta e aktorit Fuat Boci, Meta: Stigmatizoi me talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare

Mbi lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në moshën 89-vjeçare të aktorit Fuat Boci ka reaguar Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.

Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë interpretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte!”- shkroi Meta në Facebook.

Boçi lindi në Voshtinë në vitin 1931 dhe pati një karrierë të pasur në teatrin e Bylisit në Fier. I ndjeri ishte aktori themelues i Estradës së Fierit, më 1957-ën.

Rrugën e artit e nisi qysh në moshë të re me pasion e dashuri. Nga elektricist, kino-mekanik, ai u bë edhe artist. Teksa nga një artist amator, më pas arriti majat e larta si profesionist në teatrin “Bylis” të Fierit.

Fuat Boci luajti shumë role në disa skena të mbarë vendit, por ka spikatur veçanërisht me rolet e: Lipe Shtogut, Belul Gjeraqinës dhe Llazit. Për rolet e suksesshme dhe punën e tij të palodhshme, Fuat Boçi mori titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.