Irani shënon rekord të numrit ditor të viktimave të koronavirusit

Irani ka regjistruar 229 të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e kaluara, duke shënuar rekord të ri për periudhën njëditore që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes Covid-19.

Shteti më i prekur nga virusi në Lindjen e Mesme ka filluar t’i lehtësojë masat kufizuese që nga prilli me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së goditur nga sanksionet amerikane, shkruan “Reuters”.

Deri më tani, Irani i ka regjistruar 14,634 të vdekur dhe 278,827 persona të infektuar. Për më tepër, zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se deri tash janë shëruar mbi 242 mijë të infektuar.

Rekordi i mëparshëm i viktimave për periudhën 24-orëshe ishte regjistruar më 9 korrik, kur kishin vdekur 221 persona.

Spitalet në Iran po përballen me mungesë të personelit mjekësor dhe shtretërve në kohën kur vendi po përballet me valën e dytë të pandemisë, tha një zyrtar i lartë i task-forcës kundër koronavirusit.

Komentet e tij bien ndesh me deklaratën e presidentit Hassan Rouhani, i cili ka thënë se shteti ka personel dhe spitale të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve.